Gjyqtarja Elsa Ulliri tashmë do të jetë pjesë e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) kjo pasi kaloi me sukses vettingun në muajin qershor të këtij viti.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e zhvilluar pak ditë më parë. Me delegimin e Elsa Ullirit Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar bëhet me 9 gjyqtare, ndërsa në organike janë 16 të tillë.
Gjyqtarja u përball me komisionin e vetting-ut më 28 qershor të këtij viti. Pas seancës dëgjimore trupa e përbërë nga Roland Ilia kryesues, Pamela Qirko anëtare dhe Etleda Çiftja relatore, bëri me dije se e kishte hetuar Ullirin në të tre kriteret. Në relatimin e shkurtër të Çiftjes u bë me dije se Ullirit nuk i ishin gjetur probleme të pasurisë, që siç i kishte rezultuar Komisionit, ishte e gjitha e trashëguar nga babai. Megjithatë, gjyqtares iu kërkuan shpjegime për disa prej deklarimeve të saj dhe po ashtu edhe për dy bilance negative në të cilat gjendej familja e saj, në shumat 150 dhe 158 mijë lekë.
Sipas Komisionit, Ulliri nuk kishte deklaruar pasurinë e anëtarëve të familjes për vitet që kishin qenë në një certifikatë familjare. Gjyqtarja tha se ky kishte qenë keqkuptim i saj dhe forma në të cilën ishte orientuar nga ILDKPKI, por këmbënguli se siç rezultonte nga hetimi, të afërmit e saj nuk kishin pasuri të tjera veç atyre të trashëguara, një përfundim që ishte arritur edhe nga KPK.
Elsa Ulliri është një gjyqtare me eksperiencë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka përfunduar shkollën e magjistraturës në vitin 2014-të, ndërsa stazhin profesional e ka kryer në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas në vitin 2015-të është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Për tre vite Elsa Ulliri ka mbajtur detyrën e zëvendëskryetares të kësaj gjykate, ndërsa ajo ka gjykuar çështje të rëndësishme gjatë ushtrimit të detyrës së saj në Lezhë.

