Agjencia e Mbikqyrjes Policore në Elbasan ka zbatuar vendimin e gjykatës duke pezulluar nga detyra një efektiv të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për inspektorin me iniciale I. B., me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Gramsh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”. Ai informonte dy të njohur të tij lidhur me kontrollet e kolegëve të tij, duke i favorizuar në prerjen e lëndëve drusore.
NJOFTIMI I PLOTË:
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila pezulloi nga detyra një polic. Bëhet fjalë për punonjësin e policisë Inspektor I. B., me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Gramsh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Nga hetimet e kryera nga AMP, rezulton se punonjësi i mësipërm ka qenë në dijeni të faktit të paligjshmërisë së shtetasve N. T. dhe Z. T., të cilët i ka orientuar që t’i shmangen kontrolleve të policisë duke spostuar shërbimet gjatë kohës që është në detyrë.
Gjithashtu, ai i ka orientuar këto subjekte t’i fshehin automjetet e tyre me lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme gjatë operacioneve policore të kryera nga efektivët e tjerë të Komisariatit të Policisë Gramsh, duke dekonspiruar kolegët e tij gjatë kryerjes së detyrës. Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë paligjshmëri.

