Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka lënë prapa hekurave dy nga të arrestuarit për sekuestrimin e armëve dhe minave me telekomandë.

Trupa gjykuese ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit Petrit Kubazi dhe djalin e tij Gledis Kubazi. Babai me të birin u arrestuan nga policia vendore e Shkodrës, pasi iu gjetën në banesë armë, mina me telekomandë dhe disa municione të tjera.
DËSHMITË
Gjatë seancës për masën e sigurisë shtetasi Petrit Kubazi deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk ka pasur asnjë informacion për gjithë atë municion që policia sekuestroi në banesën e tyre. Vetëm dy armët e gjahut, 52- vjeçari pretendon se janë me leje ndërsa për pjesën tjetër e ka marrë vesh në komisariat pasi është arrestuar se janë gjetur në banesën e tij.
“Unë nuk e kam ditur aspak se ato armë dhe municioni ndodhej në banesën time. Vetëm kur kam ardhur në komisariat kam pyetur djalin dhe ai më ka thënë se i kishte gjetur një natë më përpara në një vend por nuk ka pasur kohë të më tregojë sepse nuk jemi takuar dhe të nesërmen në mëngjes erdhi Policia. Arma e gjahut shotgun atë e kam me leje, sepse unë jam gjuetar, ndërsa arma tjetër sportive edhe ajo është me leje dhe është e një të njohuri. Sa i përket pjesës tjetër të armatimit nuk kam pasur asnjë ide se janë në banesën time.
Radiot që janë gjetur ato ka tri vite që i kam sepse blihen kudo në internet dhe i kam përdorur për gjueti për të komunikuar. Unë kam punuar gjithë jetën time dhe më pëlqen gjuetia ndaj nuk kam asnjë lidhje me municionet”. Ndërkohë djali i Petrit Kubazit, shtetasi Gledis Kubazi, 20 vjeç deklaroi përpara gjykatës së tri minat me telekomanda të lidhura me telefon, tetë kallëpet e tritolit C4, kapsollat detonatorë, si dhe 50 fishekët deklaroi në sallën e gjyqit se i kishte gjetur një natë më përpara por pa e ditur se çfarë janë.
“I kam gjetur rastësisht një natë më përpara por nuk ia kam vënë rëndësinë dhe nuk e kam ditur se çfarë janë konkretisht sepse nuk i njoh. I kam marrë pa e ditur se çfarë ishin dhe kam dashur që ta pyes babain se çfarë janë por nuk kam pasur kohë të flas me të sepse të nesërmen erdhi policia dhe nuk arrita që të komunikoj me babain”, mësohet të ketë thënë 20-vjeçari.
KËRKESA E AVOKATËVE
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës Anton Kosteri dhe Edit Gyrçari kërkuan që gjykata e shkallës së parë të linte me masë sigurie “Arrest shtëpie” 20-vjeçarin Gledis Kubazi dhe me të drejtë që të vijojë të ndjek shkollën e mesme. Nga ana tjetër një masë lehtësuese u kërkuar edhe për shtetasin Petrit Kubazi duke qenë se nuk ka pasur dijeni për municionet.
Nga ana tjetër, Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “Arrest me burg”. Pasi dëgjoi palët, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për babë e birë, ndërsa është në gjendje të lirë djali i vogël duke qenë se është minoren. Në këtë operacion të Policisë një sasi municionesh u gjet edhe në një banesë tjetër por 82- vjeçari Cuf Mataj po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës së tij madhore.
OPERACIONI
Petrit dhe Gledis Kubazi, u arrestuan më 31 tetor në kuadër të operacionit “Qarku”. Kreu i Policisë së Shkodrës, tha se armët e sekuestruara dyshohet të jenë përdorur në ngjarje kriminale në zonën e Shkodrës dhe jo vetëm. Policia sekuestroi 2 armë zjarri, 3 mina me telekomandë, 1 kilogramë e 600 gramë lëndë eksplozive C4, 2 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 bllokues valësh, 2 radio si të Policisë dhe fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme.