Dy ditë më parë, Policia e Shkodrës bëri me dije se kishte zbuluar më në fund disa kamera të vendosura në shtylla në mes të Shkodrës që ishin “pa zot”.
Pas identifikimit të vendeve u ndërhy nga ana e Policisë dhe u mundësua shkulja e tyre, që pasi u numëruan nga Policia rezultuan të ishin 21 copë, që të gjitha në shërbim të personave, që Policia thotë se janë të botës së krimit. Por, Policia e Shkodrës, që nga momenti që i ka shkulur kamerat e deri orëve të vona të së mbrëmshmes nuk bën me dije se kujt i përkasin ato kamerave, pasi pretendohet se policia ende nuk ka mundur të gjejë serverin qendror të tyre.
Në momentin e operacionit, në fakt u tha se kamerat ishin vendosur për të monitoruar Policinë nga ana e grupeve kriminale që jetojnë dhe kanë ndarë Shkodrën në pjesë influence, por Policia nuk është e sigurt nëse kamerat janë instaluar për ta, më shumë se sa për rivalët e tyre të përballjeve të përgjakshme.
HETIMET
Sipas të dhënave, u bë me dije operacioni i Policisë së Shkodrës për çmontimin e 21 kamerave të vendosura në shtylla elektrike në ato që konsiderohen si bazat e fiseve që janë në konflikt me njëri-tjetrin prej shumë vitesh, ka çuar në shoqërimin e disa personave.
Burime nga blutë e Shkodrës bëjnë me dije se ka pasur shoqërime të disa personave, por asnjë prej tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në identifikimin e personave përgjegjës për vendosjen e këtyre kamerave. Pas marrjes në pyetje, ata janë lënë të lirë, teksa po punohet për gjurmimin e serverit që ruan materialet filmike të këtyre kamerave të sigurisë. Gjurmimi i tyre pritet të jetë i vështirë për shkak të cilësisë së avancuar. Përmes internetit, ato mund të komandohen edhe jashtë shtetit dhe për këtë arsye hetuesit po punojnë për të pasur rezultate. Rëndësia e gjetjes së këtyre serverëve është e madhe, për shkak edhe të mundësisë së sigurimit të provave për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në këto zona në vitet e fundit, të mbetura të pazbardhura.
VENDINSTALIMET
U bë me dije se 21 kamerat e sigurisë që përdoreshin nga kontingjentet kriminalë ishin vendosur në zona që pretendohet se mund të monitorohej lëvizja e Policisë. Në fakt, Policia e Shkodrës prej vitesh nuk ka ndërhyrë në zonat ku gjenden grupet e fuqishme të qytetit e aq më pak të periferisë, por sipas të dhënave, kamerat janë instaluar për të monitoruar kundërshtarët në rast rreziku për familjarët e palëve.
Policia ka bërë me dije se në ditët në vijim do të ndërhyhet edhe në tri lagje të tjera problematike të Shkodrës, më pas për ta shtrirë kontrollin edhe në disa zona të tjera. Sipas të dhënave, një mekanizëm i tillë përdoret në të gjitha zonat problematike të vendit, ku trafikantët kanë bazat e tyre, e sidomos ku ka familje problematike. Policia ka njoftuar vetëm shkuljen e tyre duke mos bërë të ditur se si mund të mbrohen familjet për të cilat janë vendosur ato kamera vëzhgimi. Prej vitesh, përplasjet mes disa fiseve në Shkodër kanë sjellë ngjarje të rënda kriminale, për të cilat rrallë është arrestuar ndonjë autor. Madje, pak muaj më parë, një person u vra në mënyrë demonstrative pasi doli dhe denoncoi publikisht jo vetëm vrasësit po edhe mbështetësit e vrasësve në shtet dhe me pushtet.

