Një ton drogë është sekuestruar nga policia italiane e fshehur nën ujë, në motorët e një anije tregtare që mbërriti ditën e djeshme në portin e Savonas.
Lënda narkotike e llojit kokainë ishte ndarë në 741 pako dhe u zbulua nga seksioni i operacioneve detare të cilët kontrolluan nën ujë.
Hetimi kishte nisur prej disa javësh pas sinjalizimeve për trafik ndërkombëtar të kokainës që kishte bazë në Italinë qendrore, ndërkohë që janë zbuluar edhe lidhjet e kësaj skeme me krimin shqiptar.
Gjatë hetimeve policia kishte sekuestruar një sasi të madhe kokaine në datë 2 Janar pas kontrolleve në një apartament ku trafikantët fshihnin ngarkesën që merrnin në portin e Savonas.
Në pranga janë vënë katër shtetas shqiptarë, të cilët drejtonin trafikun e lëndës narkotike. Forcat e policisë kishin mësuar për mbërritjen e një tjetër ngarkese me kokainë në port me flamurin e Hong Kongut e cila ishte nisur nga porti i Santos në Brazil në datë 30 Dhjetor.
Sapo anija mbërriti në port mëngjesin e djeshëm, policia u vu në aksion për të bërë kontrollin e saj. Koakina ishte ndarë në 741 pako, të paketuara me 26 mbështjellës celofani të fshehur në motorët e varkës.

