Ditën e sotme, KAS vendosi të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me kryetar Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë. KAS ka vendosur që PD të dorëzojë dokumentet me firmën e Alibeajt. Me këtë vendim praktikisht KAS thotë se kryetari i komanduar i Partis Demokratike do të duhet ta përfaqësojë këtë parti me atributet e plota të kryetarit, pra edhe duke firmosur deklaratën solemne por edhe duke dorëzuar korrigjuar të dhënat e kryetarit te kërkesa për regjistrim, tashmë jo emrin e Lulzim Bashës por emrin e Enkelejd Alibeajt. 

Njoftimi i KQZ-së:

KAS vendos të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me kryetar nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi dy kërkesat ankimore të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve:

Kërkesa ankimore nr. 32 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Shfuqizimi i vendimit nr. 172, datë 14.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së “Partia Demokratike”,për regjistrimin si subject zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14.05.2023” dhe regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës nr. 27, datë 05.03.2023 dhe dokumentacionit shoqërues të saj dhe të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023 me nr. 1337, të paraqitur në emër të PD nga përfaqësuesi z. Indrit Sefa;
Kërkesa ankimore nr. 33 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 172, datë 14.03.2023 dhe ndryshimin e vendimit duke vendosur regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
Në përfundim të shqyrtimit, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 33 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Ledio Nuraj dhe z. Franci Nuri.

KAS me shumicë votash vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr. 32 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Indrit Sefa dhe detyrimin e partisë “Partia Demokratike”, të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë vijon:

Deklaratën sipas shkronjes “b” te pikës 2 te nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetarin z. Enkelejd Alibeaj, në cilèsinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
“Deklaratën e angazhimit solemn” të nënshkruar nga nënkryetari z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
si edhe ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe detyrimin e Komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me kryetar nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version