Gentjan Bejtja i shpëtoi për herë të tretë atentatit që ishte organizuar për eliminimin e tij. Fatkeqësisht mbeti i vrarë kunati i tij 29-vjeçar Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur 8 dhe 13 vjeç, ky i fundit në gjendje të rëndë për jetën.
Bejtja është një person i njohur për policinë dhe emri i tij ka dalë në disa ngjarje të mëparshme kriminale, teksa i kishte shpëtuar dy atentateve më herët në vite.
Dyshohet se dy ditë më parë Bejtja ka qenë në shtëpi dhe se mund të ketë qenë në automjet me kunatin e tij mbrëmjen e djeshme, por ka zbritur më parë. Po kështu mësohet se autorët mund të kenë pasur dijeni për lëvizjet e tij prej ditësh. “Balkanweb” raporton se Bejtja kishte kërkuar më parë azil në Norvegji fillimisht e më pas në Suedi, por këto kërkesa nuk i janë pranuar.

