Dy persona janë vënë në prangat e policisë gjatë dy operacioneve të finalizuar në Shkodër dhe Malësi të Madhe kundër veprimtarive të paligjshme.
Në Malësi të Madhe në pranga është vënë një person i cili ishte shpallur në kërkim pasi në muajin dhjetor policia gjeti në lokalin e tij një tavolinë pokeri dhe makineta për lojëra fati.
Ndërkohë që në Shkodër është kapur një person tjetër me doza lënde narkotike në një lokal ndërkohë që është vënë nën hetim pronari i biznesit.
Njoftimi i policisë
Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Malësi e Madhe/Vijon operacioni policor i koduar “Poker 6”, kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas në kërkim. Në dhjetor 2022, Policia gjeti në lokalin e tij, 1 tavolinë pokeri dhe makineta për lojëra fati.
Shkodër/Vihet në pranga dhe 1 shtetas tjetër, pasi u kap me disa doza lënde narkotike kokainë. Në hetim, pronari i lokalit ku u kap i arrestuari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin L. G., 26 vjeç, banues në fshatin Jubicë, Malësi e Madhe. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Poker 6”, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në muajin dhjetor të vitit 2022, në lokalin e tij janë gjetur 1 tavolinë pokeri dhe 3 makineta që përdoreshin për lojëra fati.
Në Shkodër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrolleve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në një lokal, në lagjen “Salo Halili”, arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 32 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap me disa doza lënde të dyshuar narkotike kokainë. Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit ku u kap 32-vjeçari, shtetasin A. L., 49 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime te mëtejshme.

