Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot për të miratuar rregulloren e re që ka për qëllim të rishikojë raportin e institucionit me mediat. Në këtë rregullore parashikohet që KLP ti kërkojë medias të tregojë qëllimin pozitiv të lajmit sa herë që i adreson institucionit një kërkesë për informacion.
Më tej, KLP ka të drejtën që në momentin kur nuk i pëlqen një gazetar i caktuar nga media për të mbuluar aktivitetet e institucionit të kërkojë pranë medias ndërrimin e tij.
Në rregullore gjithashtu, KLP i kërkon medias të mos shkelë ligjin për sigurinë kombëtare dhe sekretin shtetëror. KLP dhe mediat do të firmosin një marrëveshje mes tyre e cila hyn në fuqi me miratimin e kësaj rregulloreje.

Pjesë nga rregullorja:
1.Këshilli zhvillon dhe mirëmban një portal elektronik në intemet, me qëllim ofrimin e informacionit të duhur për çështjet me interes publik. Këshilli, vë në dispozicion një rubrikë në faqen e tij zyrtare në intenet me informacion të përditësuar që i adresohet medias, si një kategori e specializuar dhe profesionale e komunikimit të Këshillit me publikun. Rubrika hartohet e tillë, që të sigurojë informacion të paanshëm, objektiv dhe profesional, të lehtësojë vështirësitë e detyrës për median, duke i përcjellë publikut një informacion të besueshëm, lehtësisht të perceptueshëm në lidhje me sistemin e drejtësisë, politikat dhe funksionet e Këshillit.
2. Mediat kanë të drejtë të kenë një përfaqësues të akredituar pranë Këshillit, i cili nënshkruan një deklaratë sipas të cilës angazhohet për trajtimin e informacionit të marrë nga Këshilli, në përputhje me kërkesat profesionale dhe parimet e kësaj rregulloreje. Akreditimi i mediave të huaja bëhet pas akreditimit të tyre nga Ministria e Jashtme, sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave.
3. Çdo kërkesë për informacion duhet t’i drejtohet Koordinatorit për të Drejtën e Informimit, i cili është përgjegjës edhe për koordinimin e sigurimit të informacionit brenda institucionit. Koordinatori për të Drejtën e Informimit, me miratimin e anëtarit të caktuar të Këshillit, ka të drejtë të kërkojë nga drejtuesi përkatës i medias së akredituar zëvendësimin e një gazetari, nëse rezultojnë shkelje qartësisht të dallueshme të objektivitetit dhe profesionalizmit, si dhe për shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe të parimeve të kësaj rregulloreje.
4. Në rastin kur shkelja është publike, e rëndë, apo flagrante, anëtari i caktuar nga Këshilli merr vendim për heqjen e akreditimit të gazetarit që kryen shkeljen. Vendimi i komunikohet drejtuesit të medias përkatëse, nëpërmjet Koordinatorit për të Drejtën e Informimit. Në këtë rast, anëtari i caktuar njofton Këshillin në mbledhjen e radhës.
5. Kërkesat për informacion do të dërgohen si rregull përmes postës elektronike, si edhe përmes telefonit, gjatë ditëve të javës nga ora 08:00 deri në 16:00, e në raste të veçanta të karakterit të ngutshëm edhe jashtë këtij orari. Çdo kërkesë regjistrohet në protokoll dhe merr një numër të veçantë./Dosja.al

