Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Apelit Durrës, Anita Mici, duke e konsideruar të pabazuar në fakte dhe në ligj vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Vendimi në Kolegj u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Albana Shtylla, rezarta Schuetz dhe Ina Rama.

Sipas Kolegjit, nga analiza financiare e kryer për apartamentin ka rezultuar balancë negative për pagesën 5000 euro të kryer në vitin 2006, me burim nga kursimet familjare.

KPA e ka gjetur Micin të papërshtatshme edhe për profesionalizmin. Çomo konstatoi gjetjet në disa çështje, ku është vërejtur mungesë në arsyetimin ligjor të vendimmarrjeve të subjektit si dhe konkluzionin e Gjykatës së Lartë se trupi gjykues i Apelit Durrës, ku bënte pjesë edhe Mici, kishte vendosur lirimin me kusht të Lulzim Berishës në zbatim të gabuar të legjislacionit.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 7/2021, datë 28.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 287, datë 04.08.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Mici.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

  1. Ndryshimin e vendimit nr. 287, datë 04.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Anita Mici.
  2. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 23.02.2023.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version