Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot për të hedhur poshtë kërkesën e opozitës për të pasur një mocion me debat mbi temën e inceneratorëve në seancën e nesërme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Pas mbledhjes së sotme, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Vulës, Gazment Bardhi foli për mediat duke denoncuar se Parlamenti nuk po u shërben më qytetarëve.
Para mediave, Bardhi bëri me dije se ishte rëezuar kërkesa e grupi parlamentar demokrat për interpelancë urgjente dhe debat me mocion, për çështjen e inceneratorëve. Ai tha se sipas Konferencës së Kryetarëve, nuk ka urgjencë për kërkesat e opozitës, ndaj edhe shtoi se tashmë parlamenti është shndërruar në ‘dyqan personal i Zotos dhe Mërtirit’ dhe se e gjitha po bëhet për të siguruar arratinë e tyre dhe të ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj.
“Konferenca e Kryetarëve vendosi sot rrëzimin e kërkesës për interpelancë dhe për mocion me debat duke shfaqur në këtë mënyrë vizionin e saj për shndërrimin e Parlamentin nga ai i qytetarëve shqiptarë, në një dyqan personal të Zotos dhe Mërtirin. Për kolegët e maxhorancës shkeljet e Kushtetutës dhe fakti që dy mafiozë në arrati të inceneratorëve marrin pagesa çdo ditë për punë ta pakryera, nuk është një çështje urgjente. Fakti që paratë e shqiptarëve transferohen dhe mbajnë gjallë, e sigurojnë jetësën e 2 mafiozëve në arrati, nuk është emergjente për ta. E kuptoj vështirësinë që ka Rama si person i përfshirë, koka e inceneratorëve për të dhënë shpjegime, por sado siklet dhe hall të ketë do duhet të respektohet Kushtetua. Argumenti i tyre është se nuk ka urgjencë. Po financojnë arratinë e Zotos, Mërtirit dhe tani të Ahmetajt mund të vijojnë dhe të marrin para nga buxheti. Ahmetaj mund të transferojë para nga Shqipëria në Zvicër, është një çështje që për maxhorancën është e ezauruar. Ju jeni dëshmitarë, i keni bërë publike faktet. Kryeministri duhet të jepte shpjegime për të ndalur ekzekutimin e kontrateve. Duhet të zbatohet Kushtetuta dhe rregulloja. është futur Kuvendi në një rreth të rrezikshëm. Po dhunohen të drejtat e opozitës. Shndërrimi i parlamentit, në dyqan personal që financon arratinë e Zotos dhe Mërtirit është e papranueshme.
Avokati i Popullit? Nuk ka ende një proces parlamentar për Avokatin e Popullit. Kushtetuta dikton një proces konsensual. Deri në këtë moment që flasim nuk është zhvilluar, nuk vuan sot Shqipëria nga zgjedhja brenda këtij muaji nga Avokati i Popullit.
Ligji për kanabisin? Edhe kjo ëhstë një çështje në kundërshtim flagrant me rregulloren e Kuvendit. Projektligji nuk ka qenë në axhendën e Kuvendit, por nevoja e Edi Ramës për aleancë me krimin e organizuar e nxit që të shkelë çdo rregull për të kaluar çdo ligj që zgjidh hallin e kriminelëve,”-tha Bardhi.
Dje, kreu i grupit të PD-së të vulës, Gazmend Bardhi depozitimin nga ana e tij një kërkesë për zhvillimin e interpelancë urgjente me Ramën për çështjen inceneratorëve dhe sa i takon zhvillimeve nisur nga vendimi i Kuvendit për lejimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit. Por përveç tij edhe kolegët e Partisë Demokratike gjithashtu depozituan një kërkesë të ngjashme, por që as ajo nuk u mor parasysh.

