Pasuri me vlerë 300 mijë euro janë konfiskuar nga policia e Elbasanit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Policia e Elbasanit bëri me dije se pasuritë që i kalojnë për llogari të shtetit janë në pronësi të bashkëjetuesve Zamira Gjongecaj, 48 vjeçe dhe Besnik Braka, 58 vjeç. Ata janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2009 për trafikim armësh, drogë dhe falsifikim të dokumenteve.
Rreth 15 vite më vonë, Policia organizon operacionin “Fasada 4”, janë konfiskuar 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, me sipërfaqe totale rreth 470 m2, të ndodhura në qytetin e Elbasanit. Zamira Gjongecaj u arrestua në vitin 2005 nën akuzën e shpërndarjes së drogërave të forta në Tiranë.
Ajo u vu në pranga së bashku me disa persona të tjerë pas 4 muajsh hetime. Në banesën e saj u gjet 5 kg heroinë. Kreu i grupit ku ishte pjesë dhe Zamira Gjongecaj ishte Besnik Braka, nga Elbasani. Droga, sipas akuzës, ishte destinuar të nisej drejt Italisë.
Anëtarët e tjerë të grupit, ishin përfshirë edhe në shpërndarjen e heroinës në kryeqytet dhe një prej tyre ishte edhe Zamira Gjongecaj. Nga hetimet e prokurorisë, rezultonte se gruaja punonte edhe si parkuare.

