Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë vënë nën hetim disiplinor, pasi u përfshinë në një konflikt fizik për motive të dobëta në mes të rrugës, madje duke përdorur edhe armët e shërbimit. Pas publikimit të rastit të përplasjes, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Tiranë, thotë se ka referuar në Prokurori materialet proceduriale në gjendje të lirë në ngarkim të 2 punonjësve të Policisë, efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Rigers Iljazit, i cili është përplasur me Shefin e Operacionales, Vladimir Laska.
Të dy, Rigers Iljazi, 33 vjeç, akuzohet për “Kanosje”; ndërsa Vladimir Laska, 44 vjeç, i dyshuar për ‘Kanosje” e “Dëmtime të tjera me dashje”. Ndërkohë që nën hetim është marrë edhe M.I. 33 vjeç, i dyshuar për “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur një natë më parë në njësinë nr.5 të Tiranës. Iljazi ka qenë i shoqëruar nga i vëllai në momentin që është përplasur me Laskën. Ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me këtë konflikt, por siç raportohet paraprakisht, efektivët kanë nxjerrë dhe armët gjatë përplasjes me tyre. Të pranishëm në konflikt ishin edhe dy persona të tjerë të identifikuar si Blerim Qorri e Elton Bisi.
“Nga veprimet hetimore rezulton se punonjësi i policisë V.L., jashtë shërbimit, është konfliktuar e përplasur fizikisht, për motive të dobëta, së pari me shtetasin M.I., në një dyqan në rrugën “Nikolla Tupe”. Më pas në debat është përfshirë dhe punonjësi tjetër i Policisë, R.I., edhe ai jashtë shërbimit,” – thuhet në njoftimin e AMP. Me marrjen e njoftimit kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 2 Tiranë dhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar palët deri në përfundim të veprimeve të para hetimore.

