Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të martës më 11 tetor, lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Bernina Kondi.

Vendimi është marrë në mënyrë unanime në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e KPA e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo, që ka vendosur ta rrëzojë si të pabazuar ankimin e Kondit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 15 qershor 2020 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren  Bernina Kondi, pasi gjeti problemeve me blerjen e dy apartamenteve në Tiranë si dhe burimin e krijimit të tyre.

Gjithashtu, Kondi u gjet në pamundësi për shlyerjen e një kredie në vitin 2010, pasi nga analiza financiare u konstatua balancë negative prej rreth 1.5 milionë lekësh.

Bernina Kondi e mbaroi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2011, ajo u emërua kryetare e Gjykatës së Beratit, ndërsa në vitin 2013 u dekretua si gjyqtare e Gjykatës Administrative të Tiranës.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version