Prej ditësh një gjyqtar është ankuar se në përballjen e tij me vetingun është penalizuar vetëm pse nuk ka shtyrë gjyqet.
Rasti i tij, në fakt është i paprecedentë në të gjithë shqyrtimet e kryera këtyre vitesh në këtë proces gjykimi të punës së anëtarëve të sistemit të drejtësisë. Me rastin e këtij subjekti, sistemi i vetingut hyn në një tjetër betejë, kur kanë filluar edhe fitoret e para të të përjashtuarve, fitore që në fakt vijnë me kosto të madhe nga Strasburgu. Mirëpo Andri Ymeri, gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës ka vendosur ta nisë në institucionet tona betejën me trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe dy avokatët e tij kanë bërë publike edhe natyrën e kallëzimit, e veçantë dhe e habitshme për vetë pretendimin që kanë ngritur anëtarët e KPK-së në gjykimin dhe vlerësimin e punës së gjyqtarit të Shkodrës.
KALLËZIMI
Kështu, gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri, Komisioni i Vetingut i kërkon llogari se pse ka dhënë drejtësi për një çështje brenda 5 ditëve. Trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Pamela Qirko dhe Genta Bungo i kanë kaluar barrën e provës Andri Ymerit, se pse ka gjykuar shpejt çështjet e njohjes së pensionit për të moshuarit dhe në disa raste çështje pronash, si kthim në afat, njohje trashëgimtarësh etj.
Gjatë karrierës 20-vjeçare si gjyqtar, Andri Ymeri ka vendosur për 915 çështje, duke dhënë disa vendime të përjetshme, sekuestrim pasurish dhe dënim të kokave të krimit në Shkodër. Gjyqtari është befasuar kur Komisioni i Vetingut i kishte kërkuar llogari se pse disa gjyqe për çështje pensioni, i kishte përfunduar brenda 5 ditëve, duke dalë me vendim. Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Andri Ymeri, tha se ka raste kur për të zbatuar një vendim gjykate, është dashur një vit kohë në gjykata të ndryshme, ndërsa atij i kërkohet llogari se pse i ka zhvilluar gjyqet shpejt.
Ymeri tha se nëse do të konfirmohet në detyrë, do të bëjë sërish të njëjtën gjë, për qytetarët që kërkojnë pension pleqërie dhe njohje prone, me dokumentet dhe ekspertizën përkatëse. Ymeri është mbrojtur për “shkeljet” e tij para KPK-së me këtë vendim: Nëse unë kam cenuar besimin e publikut vetëm se kam ndihmuar njerëzit me thinja, atëherë unë ju kërkoj jepni zjarr. Unë nuk përulem para jush dhe as nuk kërkoj mëshirë dhe nuk pres drejtësi nga ata që s’kanë lidhje me drejtësinë!

