Policia e Tiranës 8 ditë më parë njoftoi se kishte arrestuar 17 persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në fushën e kontrabandës së cigareve. Në njoftimin e policisë në krye të grupit kriminal ishte biznesmeni Astrit Vila një personazh i njohur për lidhjet e tij të afërta familjare dhe në biznes me një prej pronarëve më të rëndësishëm të mediave në vendin tonë.
Zyrtarisht policia njoftoi se çdonjëri prej të ndaluarve kishte funksione dhe role të caktuara në këtë veprimtari si financues, transportues, tregtues dhe apo magazinues malli. Mësohet se hetimi proaktiv për këtë grup të kontrabandimit të cigareve ka nisur që në gusht të vitit 2017 ndërsa hetimi procedurial ka nisur në fillim të vitit 2018.Për mbledhjen e provave dhe materialeve të cilat faktojnë kryerjen e veprave penale Prokuroria e tiranës ka siguruar vendime përgjimi dhe kontrolli nga ana e Gjykatës së tiranës e më konkretisht nga gjyqtari i çështjes Gerd Hoxha.
Sipas të dhënavë të deritanishme mësohet se prokuroria e tiranës ka dyshime të arsyeshme se biznesmeni Astrit Vila të ketë patur rolin e financuesit në këtë veprimtari kriminale. 56 vjeçari pronar i biznesit “Albanian Distribution” mësohet se arrinte të siguronte një numër të konsiderueshëm koli cigaresh kontrabandë në muaj kryesisht nga qyteti i Shkodrës që furnizohej nga Mali i Zi.

Sipas hetuesëve Vila kujdesej që ta zhvillonte aktivitetin kriminal jashtë biznesit të ligjshëm dhe korrektesës së pagesave cash për kolitë. Ai ishte kthyer në një prej furnitorëvë kryesorë të cigareve kontrabandë në kryeqytet. Markat e cigareve që kontrabandoheshin ishin të shumta por më kryesoret janë “Trokadero” , “Art”, Marlboro”, “Slims”. Lidhjet me Shkodrën nga ku dyshohet se është dhe baza kryesore e furnizimit nga shteti fqinj i Malit të Zi” Astrit Vila i ka siguruar në periudhën kur ka jetuar për disa vite në qytetin verior për shkak se dhe bashkëshorten e ka nga Shkodra.
Por sipas prokurorise Astrit Vila është kushëriri i parë i një prej njerzve më me influencë në botën e biznesit dhe të medias në vendin tonë. Ai është kusheri i pare me Irfan Hysenbelli. Hetuesit thane se edhe për promovimin në bizneset aktuale që disponon Astrit Vila ka patur suportin e padiskutueshëm të kushëririt të tij Irfan Hysenbelli.
Nje burim prane prokurorise se Tiranes i tha sosnews se të gjitha mediat në pronësi të Irfan Hysenbelli kanë censuruar lajmin e datës 5 prill duke fshirë emrin e Astrit Vilës siç duket në faksimilet e gazetës panorama , balkanweb dhe gazetës shqiptare (nuk e ka bërë fare lajmin).
Ndërsa media faxnews me portalin faxweb.al në pronësi të Kasem Hysenbelli (vëllai i Irfanit) në faksimilen e mëposhtme duket që censurën e ka bërë më të modifikuar ku përveç emrit të kushëririt (Astrit Vilës) nuk ka vënë as emrat e 16 të arrestuarve të tjerë.
Gjatë kontrollit në njësi tregtare, dyqane, lokale, magazina, banesa, kioska, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale: 2.7 tonë kafe e dyshuar kontrabandë, me një vlerë në treg rreth 900 mijë lekë; 2 automjete të markave ‘Mercedez Benz’ dhe ‘Volksëagen Passat’;28 telefona të markave të ndryshme;105 000 paketa të markave të ndryshme pa pullë fiskale, me vlerë shitjeje në treg, rreth 28 milionë lekë; 300 mijë lekë, etj.
Pas finalizimit të operacionit nuk vonoi të reagonte dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i cili e cilësoi si “një tjetër goditje e Forcës së Ligjit ndaj një grupi të strukturuar kriminal që kontrabandonte mallra të ndryshë”. Xhafaj shtoi se operacioni ishte meritë e strukturave të krimit ekonomik në Policinë e Shtetit dhe Prokurorisë së Tiranës.
Por pa kaluar as 48 orë në vlerësimin e masave të sigurisë operacioni pompoz u shfry. Në një heshtje thuajse totale mediatike 11 nga 17 të arrestuarit u lanë të lirë nga Gjykata me masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “arrest në shtëpi”, vetëm 6 prej tyre mbetën në burg. Një prej të liruarve ishte dhe i cilësuari nga policia dhe prokuroria si kreu i grupit, Astrit Vila. Ky i fundit sipas të dhënave nga Gjykata, me prepotencë nuk ngurroi që të intimidonte personalisht prokurorin e cështjes Julian Xhengo, se ndaj tij dhe grupit hetimor do merrej duke i diskredituar në gazetën më të madhe në vend, pasi nuk i kishin kapur mall kontrabandë dhe ndaj tij hetimi ishte i stisur.
“Kontrabanda 2018” si operacion u shfry për disa arsye që deri sa të provohen mbeten hipotetike, ose për shkakun e mos dokumentimit të duhur ligjor të veprimtarisë kriminale të grupit çka solli dhe gjetjen e hapësirave proceduriale nga avokatët mbrojtës, ose për shkakun e “aftësisë” së anëtarëve të grupit për të “bindur” gjykatësin ose për ndonjë arsye tjetër ende të paqartë.
Nga Prokuroria e Tiranës shprehet vendosmëria se ndaj Astrit Vilës pavarësisht masës së sigurisë, ka prova të mjaftueshme për përfshirjen në grupin kriminal të kontrabandimit të cigareve. Në këto kushte duhet të denoncohen presionet apo format e tjera të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ose në variantin tjetër të ndëshkohet paaftësia hetuese e grupit të punës dhe çështja të ndiqet cilësisht në Gjykatat e shkallëve të tjera.
Por nëse rezulton e kundërta dhe nuk ka prova kundër Astritit, kushëririt të biznesmenëve të mediave, duhet tu kërkohet falje publike dhe të dëmshpërblehet.
Sosnews.al