Lufta e përfolur në media mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim tashmë ka dalë në sipërfaqe.
5 ditë para zgjedhjes së kreut të Prokurorisë së Posaçme, Kim njoftoi sot se i ka takuar të gjithë anëtarët e KLP që kanë ekskluzivitetin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK dhe ka caktuar edhe kriteret që duhet të përmbushë drejtuesi i ri. Sipas Kim, përzgjedhja duhet të jetë e pandikuar nga ata që duan të kufizojnë ose manipulojnë hetimet.
Përgjigjia i ka ardhur vetëm 30 minuta më pas nga kryeministri Edi Rama. Rama ka lëshuar një mesazh të qartë mbi trupën e KLP që sipas tij duhet të jetë e pandikuar në vendimmarrje si nga qeveria edhe nga opozita si dhe ambasada amerikane. Rama thotë se anëtarët e KLP i japin llogari vetëm pasqyrës.
Prej kohësh, Yuri Kim zhvillon takime dhe lëshon mesazhe sesi duhet të jetë kreu i ri i SPAK. Reagimet e saj u pasuan nga një kronikë e Zërit të Amerikës që shpjegonte se ambasadorja amrikane ka një shqetësim se gara në SPAK mund të manipulohet nga praktikat e vjetra. Gara për kreun e ri të SPAK ka shumë pikëpyetje duke nisur me mungesën e interesit fillimisht të prokurorëve për të garuar e për të vijuar më pas me emrat që kanë hyrë në lojë për të zëvendësuar Arben Krajën. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Të tre janë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreut të ri të SPAK është tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje dhe zgjidhet me shumicën e votës së anëtarëve të KLP. Trupa e KLP do të dëgjojë platformat e tyre dhe më pas do të votojë. Kush merr shumicën, merr drejtimin e SPAK. Por koha është e kufizuar pasi mandati i Krajës mbaron më 19 dhjetor.

