Kryeministri Edi Rama do të takohet gjatë kësaj jave me homologun e tij britanik Sunak në Londër. Krimi dhe emigracioni janë dy çështjet që do të diskutohen nga dy krerët e qeverive, takim i cili nis nesër e do vijojë për disa ditë.
Në fund të takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Rama do të jetë i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Mësohet se Rama do t’u flasë britanikëve edhe në një sfond tjetër, përmes një leksioni të hapur në London School of Economics me shqiptaren Lea Ypi, e cila është një profesore e teorisë politike në këtë universitet.
Më pas, kryeministri do marrë pjesë në një aktivitet ku priten të diskutohen këto pika:
-Si po i përgjigjet Shqipëria agresionit rus dhe cili është qëndrimi i saj ndaj Ukrainës?
-Ku beson Tirana se Kina përbën kërcënimin më serioz?
-Si mund t’i përgjigjen më mirë vendet evropiane migracionit të paligjshëm dhe të kontrollojnë më mirë fluksin e njerëzve?
-Si ndikohet rajoni i Ballkanit Perëndimor nga lufta në Ukrainë dhe si mund të kontribuojë në sfidat e sigurisë të paraqitura nga lufta?
Në fund të vitit që lamë pas Rama dhe Sunak ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në tri fusha me interes të përbashkët. Në marrëveshjen mes dy vendeve, u theksua se bashkëpunimi do të fokusohet në çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme, ku do t’i jepet vëmendje e posaçme luftës kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.
Sunak theksoi se do të bëhen ndryshime në sistem, që do të thotë se do të refuzohen shumica dërrmuese e kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë.

