Akil (Gentian) Nerjaku, i cili është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsuionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk është një emër u panjohur në botën e krimit. Vetëm pak muaj më parë, Nerjaku i shpëtoi një atentati me snajper në Durrës.
Një bandë e mirëpërgatitur zbarkoi në lagjen nr13 në plazhin e Durrësit për të ekzekutuar Nerjakun, mesditën e 12 shtatorit. Ata mendohet të kenë qenë pesë persona dhe të gjithë të veshur me të zeza e me kapuçë në kokë. Të futur brenda një furgoni, në dukje si transportues mallrash, atentatorët u ndalën në rrugën ku ishin informuar se ndodhej shënjestra e tyre dhe qëlluan.
Një tek plumb do të ishte mjaftueshëm nëse do të kishin pasur shënjestër, por gabuan. Plumbi përfundoi në makinën e një pushuesi nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte zgjedhur bregdetin e Durrësit për të pushuar, por u gjend në kohën dhe vendin e gabuar më 12 shtator. Në të njëjtin moment dhe në të njëjtin vend ku ishte parkuar makina, Nerjaku ishte duke lëvizur me automjet Mercedez Benz. Ngjarja kaloi pa dëme, por as nuk u zbardh, pasi deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për këtë atentat.
Kujt iu faturua atentati?
Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremi, i njohur dhe si Rrumi i Shijakut. Megjithëse i njohur për forcat e rendit si person me precedentë penalë, Akil (Gentjan) Nerjaku, rezulton i arrestuar vetëm njëherë për armëmbajtje pa leje, por njihej si kundërshtar i Rrumit.
Ai është prangosur nga Policia e Durrësit më 3 tetor të vitit 2017 në kuadër të një operacioni në atë kohë për goditjen e elementëve kriminalë.
“Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Porche’, që drejtohej nga Marjel Fierza, u gjetën dhe sekuestruan, 2 armë zjarri pistoletë tip ‘Beretta’, automjeti që ata udhëtonin dhe 6 telefona celularë”, sqaronte Policia.
Fierza, person me precedent penal, njihet edhe si mik i Lul Berishës. Ai është evidentuar si pjesë e bandës së Durrësit, ndërsa u ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në 2010 dhe 2012. Ai deklaroi në atë kohë se në momentin që janë prangosur i ishte drejtuar komisariatit për të dorëzuar armën të cilën e kishte gjetur në një depozitë uji.
“Pistoletën e gjeta te depozitat e ujit ku po pija kafe me Gentianin. Isha drejtuar për në komisariat për ta dorëzuar atë”, kishte deklaruar ai para Gjykatës.
Ndërsa Nerjaku deklaronte se armën që posedonte e kishte me leje. Pas verifikimeve rezultoi që arma e zjarrit e tipit pistoletë ishte me leje, por duhej të mbahej në ambientet e banesës së Nerjakut dhe jo jashtë saj. Në atë kohë, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Nerjakun.

