RENEA realizoi dje një operacion në kampin MEK në Manzë të Durrësit. Vdekja e një personi gjatë operacionit të policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë, nuk lidhet me veprimet apo mosveprimet e efektivëve. Personi që ndërroi jetë brenda kampit Ashraf 3, më herët ka qenë i shtruar në spital për shkak të problemeve kardiake, raporton “Top Channel”. Mbrëmjen e djeshme, trupi i pajetë u transportua në morgun e kryeqytetit, ku iu nënshtrua autopsisë dhe analizave mjeko-ligjore.
Nga të dhënat paraprake, mjekët kanë konstatuar se trupi i pajetë nuk ka dëmtime, dhe vdekja mund të ketë ardhur nga arresti kardiak. Sakaq, përgjigjja përfundimtare pritet të dalë javë më vonë, kur të dalin përgjigjet e analizave mjeko-ligjore. Një ditë pas mësymjes në Kampin Ashraf 3 në Manëz të Durrësit, policia ka proceduar 6 muxhahedinë të moshave nga 61 deri në 73-vjeç për 4 vepra penale, konkretisht: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Po nga policia po verifikohen pamjet filmike, për të identifikuar persona të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme ndaj policisë. Dje, Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet e kampit Ashraf 3 në kërkim të serverave të kërkuar nga SPAK, kontrolle që u kundërshtuan nga banorët e kampit.
Nga përplasjet u lënduan 15 policë dhe 21 anëtarë të MEK. Nga baza e krijuar brenda ambienteve të kampit Ashraf 3, muxhahedinët të njohur ndryshe si opozita iraniane, dyshohet se kanë kryer disa sulme kibernetike, përfshirë edhe Iranin.

