Enver dhe Ermond Jamaku mbase janë dy dëshmitarët më të vlefshëm deri më tani që kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Ata kanë hedhur dritë jo vetëm mbi një aktivitet të gjerë kriminal, por edhe mbi një mori bazash armatimi që gjendeshin në Tiranë, disa edhe të goditura dhe shkatërruara nga Policia.

Edhe pse sot e asaj dite Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar në lidhje me ekzaminimet e arsenaleve të armëve të sekuestruara nëpër bazat ku i çuan dëshmitë e dy kushërinjve, sërish Tirana vijon të prodhojë vatra armatimi në çdo lagje e periferi.

Për pasojë, dosja me rrëfimin e dy kushërinjve, që pranuan se u pajtuan nga Gjergj Cukali për të eliminuar Gjon Menën, por që ishin prishur në ‘pazar’, ka nisur dje shqyrtimin gjyqësor.

Edhe pse Cukali me të tijtë kanë refuzuar të gjithë dëshminë e dy kushërinjve-bashkëpunëtorë dhe të pajtuar për ekzekutues kundrejt pagesave, Gjykata tashmë ka në dorë një nga grupet e rëndësishme të krimit në vend.

GJYKIMI

Kështu, GJKKO bën me dije se nisi gjykimin për një tjetër grup të vrasjeve me pagesë. Pas deklarimeve të dëshmitarëve, bashkëpunëtorë të drejtësisë, mësohet se kaloi për gjykim dosja në ngarkim të Gjergj Cukalit dhe grupit të madh që dyshohet që kanë qenë në varësi të tij.

Sipas dëshmisë së Enver Jamakut, Cukali i ka premtuar 30 mijë euro për t’i vendosur tritol mjetit të biznesmenit Gjon Mena në Kamëz. Pjesë e dosjes janë edhe kushërinjtë Enver dhe Edmond Jamaku, vrasës me pagesë, të kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Edhe ata janë të dyshuar për atentatin ndaj Gjon Menës pasi kanë dëshmuar se i ashtuquajturi “i forti” i ‘Myslym Shyrit’, Gjergj Cukali, që drejtonte grupin e vrasësve me pagesë, i kishte dhënë vetëm 2 mijë euro.

Jamakët dhe Gjergj Cukali janë nën akuzë për grup të strukturuar kriminal, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje e lëndë shpërthyese. Pas rrëfimeve të tyre u zbuluan edhe disa baza me armatime në Tiranë. Arsenali i armëve është gjetur në 10 prill 2021 banesën e Sokol Xhurës në Tiranë, në një tunel të fshehur midis mureve në banesën e tij.

Vendstrehimi sipas SPAK ishte krijuar brenda ishndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë, objekt në përdorim e pronësi të familjes Xhura. Vetë Sokol Xhura është në kërkim ndërkombëtar dhe pritet të arrestohet në SHBA ku ka shkuar prej disa javësh.

ATENTATI NDAJ GJON MENËS

Më 9 shkurt 2021, në rrugën “Silvio Berluskoni” në Kamzë, automjetit “BMW” të biznesmenit Mena iu vendos tritol, i cili pas shpërthimit shkaktoi vetëm dëme materiale. Për atentatin ndaj Memës në 2021 janë arrestuar Gjergj Cukali, 42 vjeç, si edhe dy kushërinjtë, Enver Jamaku, 33 vjeç, dhe Ermond Jamaku, 24 vjeç.

Cukali akuzohet si porositësi i këtij atentati të dështuar për eliminimin fizik të Menës, ndërsa dyshohet se ka paguar Enver dhe Ermond Jamakun për atentatin.

Prishja e pazarit për vendosjen e tritolit biznesmenit Gjon Mena në Kamzë ka ndihmuar hetuesit të identifikojnë autorët.

Deklarimet e Enver dhe Ermond Jamaku më 26 shkurt 2021 se Gjergi Cukali u kishte premtuar atyre 30 mijë euro, por u kishte dhënë vetëm 2 mijë, ka ndihmuar hetuesit të sigurojnë prova për të arrestuar edhe Cukalin. Në fakt, në emër të këtyre personave janë vërtetuar një mori aktesh të rënda kriminale, për të cilat kanë folur me detaje edhe dy të penduarit e drejtësisë.

Në grup janë edhe 7 persona të tjerë, ndërkohë që Prokuroria prej kohësh ka shpallur në kërkim Sokol Xhurën jo vetëm si ‘pronarin’ e një prej arsenaleve më të mëdha të zbuluara në vend, por edhe si pjesë e këtij grupi kriminal. / Panorama

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version