Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sërish me tensione. Deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se inflacioni ‘socialist’ ka goditur familjet shqiptare dhe mazhoranca nuk shqetësohet aspak për ta.
Ministrja e Financave i cilësoi shpifje komentet e Tabakut që e quajti ‘përfaqësuese të opozitës së vulës.’ Tabaku nuk kurseu gjuhën e ashpër duke thënë se Ibrahimaj erdhi nga rruga dhe arriti të sigurojë vend në qeveri.
Më pas deputeti i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se ministrja jeton në shtëpinë e një oligarku. Ministrja u shpreh se jeton në banesën e vjehrrit të saj. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Qeverinë se ka grabitur në 9 muaj 122 mld lekëve nga buxheti i shtetit. Më tej, Berisha kërkoi të dinte dhe çmimin e dronëve të marrë nga Turqia.
Një ditë më parë, Kuvendi nuk arriti dot të votonte projektligjet dhe projektvendimet e parashikuara për t’u miratuar, ndaj u vendos që seanca të vijonte edhe sot. Dje, seanca e fundit parlamentare për këtë vit, u shoqërua me debate jo vetëm mes opozitës dhe mazhorancës, por edhe mes vetë demokratëve.
Kjo pasi procedurat e ndjekura për të marrë fjalën në seancë u shndërruan në një “mollë sherri” mes vetë deputetëve, tashmë të renditur një pjesë në krah të Sali Berishës, e të tjerë me Enkelejd Alibeaj. Në fund të tensioneve mes demokratëve, Lindita Nikolla pezulloi nga seanca deputetin Flamur Noka.
Sot në votim është zgjedhja e Avokatit të Popullit, vendime dhe projektligje të tjera të rëndësishme, ndër të cilët veçojmë projektvendimin për emërimin e një anëtarët të Gjykatës Kushtetuese, për emërimin e një anëtari të bordit të ERE-s, apo ndryshimet në Kodin Rrugor.
Në rend të ditës janë dhe disa marrëveshje të fushës financiare si ai për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, ratifikimi i marrëveshjes së huasë, me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafa e Plloçë, ai për aderimin në iniciativën e përbashkët për rregulloren e brendshme për shërbimet e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”.
Kuvendi pritet të miratojë në seancën e sotme edhe projektligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për titujt e nderit dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Në rendin e ditës së seancës së sotme është dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për lnformimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”.

