Katër muaj pas zbulimit të laboratorit të drogës në Frakull të Fierit, janë mësuar detaje të reja.
Gjatë operacionit ku u kap 485 kg kokainë raportohet se ka pasur edhe të shtëna me armë. Gjatë kohës që agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ato të Policisë së Shtetit në koordinim me SPAK dhe DEA-n amerikane, ndodheshin në terren duke survejuar perimetrin dhe gjurmuar përgjegjësit, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Prej kohësh para se të bëhej ndërhyrja, agjentët civilë ishin zhvendosur në terren, “i vështirë për ta, për shkak se bëhej fjalë për një zonë rurale ku gjithkush njihej, dhe banorët apo vetë personat që merreshin me aktivitetin kriminal, mund të krijonin dyshime”.
Çervanakët konstatuan lëvizjet e dyshimta, dhe në një moment është hapur zjarr me armë në drejtim të agjentëve për shkak se kanë dyshuar se janë në rrezik. Pas 15 minutash është vendosur të ndërhyhej për shkak se drejtuesit e operacionit kanë arsyetuar se në të kundërt mund të rrezikohej jeta e agjentëve apo operacioni të dështonte.
Disa prej tyre u kapën në flagrancë, ndërsa disa persona të tjerë arritën të largoheshin, mes tyre, kimisti kolumbian Zamir Rodriguez. Atij iu bë sinjalizim të ndalonte nga Policia Rrugore, me argument kontroll rutinë pranë qytetit të Lushnjes, por ai nuk është bindur, duke u larguar me shpejtësi. Më pas, për herë të fundit është lokalizuar në zonën e Vorës, dhe pasi është futur pranë në një zonë rurale pranë lumit të Gjolës, ka humbur çdo kontakt pamor.
Ndërkohë, ende nuk ka asnjë përgjigje nga dy letër-porositë që janë nisur nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me operacionin e Frakullit. Letër-porositë janë nisur drejt Malit të Zi dhe Kolumbisë, teksa nga kjo e fundit edhe ishte nisur ngarkesa me plehra kimik, brenda të cilës ishte fshehur edhe kokaina.
Përveç Viktor Çervanakut, bashkë me të në pranga përfundoi edhe i vëllai Zeneli, djali i tij Denilsoni dhe e fejuara e këtij të fundit Enxhi Ferhati. Gjithashtu u arrestuan edhe Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (Kodra), Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi e Marildo Rona. Disa nga këta të fundit u kapën në Tiranë, në tentativë për të kryer një ekzekutim.

