Prokuroria e Tiranës ka shpërndarë një deklaratë për mediat, ku bëhej me dije se kishin nisur një procedim penal për vdekjen e Lear Kurtit. Në njoftimin zyrtar shkruhej se sipas Prokurorisë, veprat penale për të cilat do të gjykohen efektivët e Policisë së Shtetit, parashikohen në nenet 250 dhe 290 të Kodit Penal.

Konkretisht, neni 250 lexon se: Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Ndërsa neni 290: Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Ç’lidhje ka aksidenti rrugor me vdekjen e Learit? Dosja.al mëson se bëhet fjalë për një lapsus. E gjitha bëhet fjalë për nenin 97 ‘Mosdhënie ndihme’.
3 ditë më parë Lear Kurti, 32 vjeç dha shpirt duke u sorrollatur në duart e efektivëve të komisariatit nr.3 të Policisë së Tiranës. Ai u ndalua mbrëmjen e 19 tetorit nga efektivët dhe brenda 30 minutave ndërroi jetë. Por, moszbardhja e kësaj ngjarjeje vjen si pasojë e pretendimeve kontradiktore të palëve. Ekspertiza paraprake ka dalë në përfundimin se s’ka pasur dhunë ndaj të riut, por që ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të kokainës që ka gëlltitur, ndërsa familjarët pretendojnë se është dhunuar nga policia. Një dëshmi e mikut të të riut mbrëmjen e djeshme te Piranjat hidhte dyshimte të forta se Policia dhe AMP kanë mbuluar ngjarjen. I riu thoshte se e kishte parë viktimën teksa rrihej barbarisht ndërsa akuzonte drejtorin e AMP, Ardi Veliu se e kishte “këshilluar” indirekt të mos pranonte dhunën që kishte parë me sytë e tij. /Dosja.al

