Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me largimin nga detyra të ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo dhe prapaskenat e kësaj lëvizjeje, teksa ka thënë se kjo është diçka tërësisht absurde, pasi sipas tij një drejtues i një institucioni të lartë nuk mund t’i japë të drejtën vetes të shkëputesh për një kohë të gjatë nga detyra sepse përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe.
Ai shtoi më tej se shikon një indiferencë absolute të qeverisë për një institucion të rëndësishëm dhe se përgjegjësia është te autoritetet mbi këtë institucion.
“Konstatoj një gjë tërësisht absurde, kur je drejtues institucioni, nuk mund të japësh të drejtën vetes të shkëputesh për një kohë të gjatë nga detyra sepse përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe. Kur lihet jo detyrë aktivizimi në jetën private është gjë tjetër. E rëndësishme është si funksionon institucioni, SHIK kërkon një shërbim tërësisht të përfshirë në analizën e problematikave të vendit, ka shumë rryma kundër interesit të vendit.
Unë shikoj një indiferencë absolute të qeverisë për një institucion të rëndësishëm. Përgjegjësia është te autoritetet, kryeministër, president, etj. Do ishte shumë e rëndësishme që kur Bendo kishte marrë përsipër të studionte në një kohë kaq të gjatë të emërohej një autoritete tjetër për institucionin, ne nuk kemi një agjenci të analizës së sigurisë në vend, kjo na mungon. Nuk ka një analizë të të gjithë informatave që vijnë dhe prandaj vjen dhe mungesa e seriozitetit”, tha ai.

