I akuzuari në dosjen ku po hetohen për dyshimet e korrupsionit 2 koncesionet e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, me kartën e shëndetit i kërkon Gjykatës së Posaçme ta lirojë nga qelia. Por teksa njëra kërkesë iu rrëzua të premten nga gjyqtarja Irena Gjoka, avokatët e Kokës që prej korrikut janë në proces për heqjen e masës së dytë të sigurisë.
Avokati Julian Mërtiri, e konsideroi vendimin e parë si të pabazuar dhe pretendoi që procesi për masën e dytë që prej korrikut është zvarritur në 9 seanca.
“Të premten, kjo gjykatë vendosi ta rrëzojë kërkesën për zëvendësimin e masës sa i përket inceneratorit të Fierit, pavarësisht se administroi mendimet e jo më pak se 5 ekspertëve që konkluduan se Zoti Koka është në gjendje të rënduar shëndetësore, nuk mund të vazhdojë të mbahet në paraburgim. Gjykata, pavarësisht këtyre konkluzioneve mori edhe rolin e mjekut, ekspertëve dhe vendosi ta rrëzojë kërkesën. Sot ishte kërkesa për Elbasanin, kemi 9 seanca që po zhvillojmë për të arritur në një vendimmarrje. Seanca e ardhshme është në datën 7 Nëntor, pra është shumë larg. Ne si mbrojtje, do të kërkojmë sa më parë që çështja të shkojë në gjyq në themel ku dhe do të dëgjoni më shumë sa keni dëgjuar deri tani, përveç akuzave politike me të cilat ai është kallëzuar dhe mbahet në paraburgim në këtë proces”.
Lefter Koka akuzohet nga SPAK se është korruptuar për favorizimin e kompanive fituese të dy koncesioneve dhe është përfshirë në një skemë të pastrimit të parave me punimet e kryera.

