Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar projektligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor që u prezantua sot nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në Komisionin e Ligjeve. Ai tha me tone ironike se nuk duhej të ishte hartuar pa marrë mendimin e çunave të Londrës, të cilët duhet që të jepnin eksperiencën e tyre për kultivimin e kanabisit.
“E mira është ti marrim se bëjnë rolin e agronomit, pse i lëmë në emigrim, vijnë këtu. Lazarati është një shkallë më lartë, ka nis tek ABZHR tani. Grupet e interesit, çunat që rrinë në Londër që punojnë shpi bari, gjynah të vijnë me eksperiencë, farën e kanë, të zgjedhin llojin e farës, të japin mendim për mënyrën si jepet rendimenti.
A po flasim për hashashin tani. E dyta, Shqipëria nuk ka ndonjë eksperiencë të madhe në fushën ligjore, ne kemi mbush gjithë Europën. A do marrë pjesë në panaire, sa lekë do harxhojë qeveria? A do përfshihet në skemat e AZHBR, këto që kanë përfituar nga skemat e ASHBR, këta që do kultivojnë hashashin, nga skemat e marrjes së naftës, të marrin pak naftë.
Ne i kemi fut në burg për 1 gramë, po këta që mund të bëjnë nga një kile më tepër. Ai që kapet me 3 gramë do iki në kokërr të burgut 3.4 vite, ai që do bëjë një kuintal tepër do ketë një gjobë administrative. Ato faret që kapen në Dukagjin e me radhë. Shteti ti fusë në përdorim, të këtë një projektligj që të gjithë ç’a kapet se del në kosto më e lirë, mënyra e transportit si do bëhet. Do i lëmë gomonet. Ky projektligji s’duhet të kishte ardhur pa u konsultuar me çunat e Londrës, s’mund të vëmë hashash koti duhet të vëmë hashash kualitativ”, tha ai.
Në kundërpërgjigje, ministrja Ogerta Manastriliu tha se çdo gjë tjetër që thuhet për të konfuzionuar publikun, është e pavërtetë. Ajo deklaroi se është një kuadër ligjor që ka të bëjë me kultivimin e kontrolluar të kanabisit nga shteti, për qëllime industriale edhe mjekësore. Ndër të tjera shtoi se çfarë është në shkelje të këtij kuadri ligjor, mbetet e paligjshme.
“Po flasim për krijimin e një kuadri ligjor që ka të bëjë me kultivimin e kontrolluar nga shteti, për qëllime industriale edhe mjekësore. Çfarë është në shkelje të këtij kuadri ligjor, mbetet e paligjshme dhe nuk po legalizohet paligjshmëria, por ngrihet një kuadër i ri ligjor për hapjen e një sektori në ekonomi, që i përket kontrollit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. I ka të përcaktuara të gjitha dispozita. Çdo gjë tjetër që thuhet për të konfuzionuar publikun është e pavërtetë”, tha Manastriliu.
Vetë deputeti, teksa ka publikuar një foto nga Komisioni i Ligjeve shkruan: “Drejperdrejt nga Komisioni i Ligjeve, ku po diskutohet projektligji per Kanabisin. Qivirria nuk harroj te sillte edhe nga nje teke per prove ne menyre qe kur te votohet komisioni ti kete trute dhalle po nga ajo e thartuara”.

