Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Franc Tuci. Ai u arrestua dy ditë më parë për shpërdorim detyre. Për administratorin e Iballës, Ndoc Marku, Gjykata caktoi arrest shtëpie, ndërsa Fadromisti Durim Markgjekaj vijon të jetë në arrati.
Ish-krybashkiaku sipas SPAK, në kundërshtim me ligjin, ka lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar terrenin që i përket këtij fondi pyjor.
Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, kap vlerën 234,007,500 lekë, rreth 2 milionë euro, i cili përfshin dëmtimin e terrenit, si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK-së, në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.
Sipas SPAK, punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor, janë provuar të jenë kryer nga shtetasi Durim Margjekaj, administrator i një subjekti tregtar privat, ndaj të cilit është caktuar masa detyrim paraqitje në mungesë dhe urdhri ende nuk është ekzekutuar.

