Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, shigjetoi dje Kryeministrin Edi Rama, të cilit i kujtoi se Kuvendi nuk është as noter i vendimeve të tij, por as vendi i qokave qeveritare.

Gjatë fjalës në Kuvend, ish-ministri socialist i bëri thirrje qeverisë që të reflektojë, ndërsa krerëve të drejtësisë së re u kërkoi që të dëshmojnë se janë të pavarur. Xhafaj përmendi se Parlamenti është hapësira e vetme kushtetuese për mbështetjen e monitorimin e strukturave të reja të drejtësisë.

Palëve u kujtoi progresraportin e Brukselit për Shqipërinë. “Ne duhet të jemi më modestë, t’i lexojmë mirë adresimet e rekomandimet të reflektojmë e zbatojmë. Ky raport hapës i negociatave ka vlerësime pozitive për zhvillimet në drejtësi. Përtej këtij vlerësimi pozitiv duhet të lexojmë kritikat se s’ka aspak vend për eufori, gjyqësori kriteri kyç për anëtarësimin. Kuvendi është vendi kryesor ku janë të përfshira mazhoranca e opozita dhe ku debatohet e reflektohet për zbatimin e reformës në drejtësi. Ka vend për të reflektuar seriozisht për këto përgjegjësi.

Kuvendi e strukturat e tij nuk janë noteri legjislativ e nuk mund të shërbejnë si vendi ku bëhen qoka politike e buxhetor apo miratohen ndryshime që plotësojnë ambicie për më shumë pushtet brenda sistemit të disa drejtuesve të disa institucioneve të reja të tij apo kërkesave për privilegje shtesë për disa prej tyre apo peng i një procesi formal llogaridhënie të finalizuara me rezoluta formale. Ka nevojë të ndryshojë metodologjia e procesi i llogaridhënies”, u shpreh Fatmir Xhafaj. I fokusuar tek organet e reja të drejtësisë, ish-ministri i Brendshëm tha se rolin më të fortë duhet të ketë Kuvendi për monitorimin e këtij procesi dhe jo të “shërbejë si vend ku bëhen qoka politike dhe buxhetore”.

Ndonëse progres-raporti për Shqipërinë përshkruhej me nota pozitive, për ishministrin Fatmir Xhafaj nuk ka vend për eufori. Xhafaj përmendi se pavarësia e gjyqësorit mbetet kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, e për këtë kërkoi nga krerët e institucioneve të reja të drejtësisë të japin llogari para shqiptarëve se sa të paanshëm janë në punën e tyre. “Ka ardhur koha që KLGJ-ja, KLP-ja, prokurori i Përgjithshëm, SPAK-u, BKH-ja e ILD-ja, duhet të marrin përgjegjësitë publike përballë qytetarëve.

Kuvendi duhet të përfshihet shumë më aktivisht në këtë proces, pritshmëritë kalojnë përtej kësaj. Kjo do të thotë që zonja Llagami, Balla, Cela, Kraja, Hajnaj, Metani duhet të dalin përballë publikut e të dëshmojnë çfarë po bëjnë, cilat janë rezultatet e institucioneve që drejtojnë. Cilat janë reflektimet e përgjegjësitë për problematikat e kryesorja për pritshmëritë e qytetarëve ndaj tyre e sa janë realisht të pavarur në ushtrimin e detyrave të tyre. Ka sot 3 kandidatë për drejtuesin e ri të SPAK-ut. Gjë e mirë që ka tre njerëz që kërkojnë me iniciativë e shpresoj të pandikuar e pambështetur në purtek votash të bëhen drejtues të SPAK-ut.

Tre prokurorë që po duan të garojnë të marrin përsipër një barrë kaq të madhe pritshmërish publike”, deklaroi ish-ministri i Brendshëm. Fatmir Xhafaj kërkoi nga krerët e drejtësisë që të nxjerrin me emra ata që ushtrojnë presion mbi ta. “Detyra e Këshillit, por dhe Kuvendit të përfshihet për ta monitoruar që në fazën e premtimeve e nesër në ushtrimin e përgjegjësive ndryshe çdo të mbjellim, do të korrim. Nëse sot ka presione publike nga politika me zë e figurë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, gjyqtarëve e prokurorëve, e për vendime të caktuara, kush do reagojë për gjetjet, kritikat e rekomandimet e tij në këtë fushë?”, u shpreh deputeti i PS-së.

Sipas Xhafaj: “qytetarët në këtë tollovi e ligësi pafund kanë të drejtë të informohen për të vërtetën, për çfarë është duke ndodhur me sistemin dhe drejtësinë e re edhe sepse ata janë taksapaguesit e sistemit”. Fatmir Xhafaj apeloi se tashmë është koha që institucionet e reja të drejtësisë, drejtuesit e tyre të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe integritet, llogaridhënie e transparencë publike, besim të qytetarëve përmes rezultateve konkrete. “Drejtësia është shpresa kyç për të bërë shtet, për të bërë shtetin e së drejtës, për të mbajtur demokracinë e shëndetshme në shinat kushtetuese dhe në autoritetin e ligjit, për të garantuar balancën kushtetuese midis pushteteve dhe për të pasur një qeverisje të mirë në interes të qytetarëve”, tha z. Xhafaj.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version