Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor. ‘Gazeta Telegraf’ mëson vendimi për lirim është marrë para pak minutash. Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor.
Policia ndërsa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.
Arrestimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.
Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Policët u liruan paradite. Avokati i caktuar i tyre, Gradimir Nalliç tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri. Qeveria e Kosovës e quajti agresion të Serbisë prangosjen e policëve, që siç u tha, ishin rrëmbyer sa ishin në detyrë.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kishin kërkuar Serbisë që t’i lironte menjëherë policët. Për këtë u angazhua edhe Shqipëria, por edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

