Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Piroli ka hedhur poshtë deklaratën e thënë nga gazetari Artan Hoxha, i cili u shpreh se mandatin në Kurbin e ka marrë me ndihmën e të shumëkërkuarit që rezulton i zhdukur pa gjurmë, Ervis Martinaj. Piroli i ka dërguar një mesazh deputetit Ervis Salianjit, përmes të cilit shkruante se mandatin e ka marrë me forcat e veta.
“Më thotë një koleg që është përmendur. E ka thënë më parë Tan Hoxha që mandatin ia kanë marrë. Tha mandatin e katërt dhe për qartësi po jua them. Thotë e kam marrë vetë mandatin. Ta dëgjojnë njerëzit, e kemi detyrim këtë gjë. Është njeri që mbledh vota dhe profesionist,”- tha Salianji.
Çfarë tha më herët Hoxha?
I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, Hoxha u shpreh se Martinaj ka financuar të gjitha partitë politike si nga mazhoranca dhe nga opozita. Kësaj të fundit, Hoxha tha se i ka dhënë mandatin e katërt në Lezhë.
Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.

