Presidenti amerikan Joe Biden më parë u takua me homologun e tij kinez Xi Jinping në mes të samitit të G20 në Bali të Indonezisë ku raportohet se kanë arritur një marrëveshje.
Të dy udhëheqësit ranë dakord që armët bërthamore nuk duhet të përdoren kurrë, përfshirë këtu edhe Ukrainën, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
“Presidenti Biden dhe presidenti Xi përsëritën marrëveshjen e tyre se një luftë bërthamore nuk duhet të luftohet kurrë dhe nuk mund të fitohet kurrë dhe nënvizuan kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit ose kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë”, shkruhej në deklaratën e tyre.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës kanë qenë të tensionuara pas veprimeve të kësaj të fundit në Tajvan, ndërsa Shtëpia e Bardhë tha se Biden dhe Xi folën “sinqerisht” për çështjet globale, ndërsa presidenti i SHBA shprehu shqetësimin për politikat e Kinës ndaj Hong Kongut dhe Tajvanit.

