Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman e ka konsideruar një akt njerëzor dhe një veprim dashurie dëbimin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Britaninë e Madhe, drejt Ruandës. Nga Kigali ku shkoi sot për të nënshkruar marrëveshjen, Braverman tha se qeveria arriti një marrëveshje me Ruandën në mënyrë që të dekurajonte emigrantët që të udhëtonin drejt Anglisë me gomone.
“Unë sinqerisht besoj se ky bashkëpunim midis dy aleatëve dhe miqve, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës, do të hapë rrugën për gjetjen e një zgjidhjeje humanitare dhe të dhembshur,” u tha Braverman gazetarëve, shoqëruar nga Ministri i Jashtëm i Ruandës, Vincent Biruta. Braverman argumentoi se ekziston një “krizë globale migracioni”.
Fluturimi i parë për të transportuar emigrantë në Ruandë, qershorin e kaluar, u anulua pas një vendimi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut që kërkoi një rishikim të thelluar të politikës.
Ruanda shpesh akuzohet nga organizatat joqeveritare për shtypjen e lirisë së shprehjes. Vendi sundohet nga Paul Kagame pas përfundimit të gjenocidit të vitit 1994, në të cilin OKB thotë se u vranë 800,000 persona. Sot janë zhvilluar dhe protesta kundër politikës së qeverisë për emigracionin. Disa mbanin stema me sloganin “Kalim i sigurt, jo Ruanda”.

