Komisioni i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale u përfshi në debate të fortë në diskutimin për miratim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”’. Debati në Komision nisi për konceptin e familjeve dhe kriteret që duhen përmbushur për t’u mbështetur nga shteti për t’u strehuar. Debati filloi nga deputeti Tritan Shehu i cili insistoi të përjashtohej nga ndihmat sociale çiftet që nuk janë lidhur në martesë por bashkëjetojnë, ndaj dhe kërkoi që çështja të shkonte edhe njëherë për diskutim tek Komisioni i Ligjeve. Pretendimi i tij ndau edhe socialistët, disa prej të cilëve e mbështetën, ndërsa të tjerë e kundërshtuan.
Megjithatë në fund projektligji u miratua me shumicë votash.
DISKUTIMET:
Tritan Shehu: Nuk është familje bashkëjetesa. Familja është me martesë. Kodi i Familjes ka edhe birësime brenda, ka shumë gjëra. Pra…Kodi i Familjes është martesa. Nuk është e njëjta gjë me bashkëjetesën. Kodi i Familjes është shumë i gjerë. Nëse nuk do të martohesh me letra, mund të bësh një kontratë noteriale, nëse ligji e lejon le të marrin shtëpi, por jo të quhet familje. Nuk është familje, familja është tjetër. Familje jashtë martesës nuk ka në Shqipëri. Prandaj unë mendoj këtë gjë, t’ja kalojmë Komisionit të Ligjeve për interpretim, se për mua i ka shpëtuar kjo gjë. Kërkoj ta bllokojmë kaq historinë. Pra kjo është. Unë kërkoj t’ja kalojmë edhe njëherë Komisionit të Ligjeve sepse kjo gjë nuk është diskutuar. Familja e re çfarë do me thënë? Nuk po them që t’i lësh pa shtëpi, jepi edhe atyre “single”, por nuk mund të quhen familje të reja. Terminologjia duhet vënë tamam. Është ngatërrim serioz.
Florenc Spaho: Edhe unë jam dakord me profesor Shehun, nuk quhet familje bashkëjetesa
Zheni Gjergji: Ka të drejtë profesori, duhet kthyer në Komisionin e Ligjeve.
Klodiana Spahiu: Ju lutem, nuk ka lidhje kjo që thoni, objekti i projektligjit është përcaktuar qartë.
Tritan Shehu: Nuk quhen familje…
Ilir Metaj: Po çfarë quhen? Tufë? Nëse një çift bashkëjeton dhe këta shumohen duke krijuar edhe fëmijë, çfarë do bëjmë me këtë çift, do i lëmë jashtë ligjit? Ka shumë njerëz që zgjedhin të ligjin jetën me njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Për mua kjo është shumë sqimëtare nga persona që kanë përgjegjësi për Gërdecin. Nuk kanë pyetur kur kanë lënë fëmijë jetim. E turpshme është që më ndërprisni kur unë flas.
Klodiana Spahiu: Kalojmë në votim. Kush është pro miratimit?9 pro, 4 kundër, asnjë abstenim. Atëherë miratohet!

