Sinan dhe Selvie Kazani, të dy banues në zonën e Astirit, janë çifti i bashkëshortëve, të cilët mbetën të lënduar mbrëmjen e së hënës pasi ashensori në pallatin e tyre ra nga kati i 5 në katin zero. Shkak për rënien e ashensorit është bërë pesha më shumë nga sa ishte e lejuar, pasi brenda në ashensor lejohej hyrja e vetëm 4 personave ndërkohë që përveç çiftit Sinan dhe Selvie Kazani kanë qenë edhe 3 persona të tjerë të së njëjtës familje.
3 anëtarët e tjerë të familjes kanë pasur lëndime të lehta ndërsa çifti i bashkëshortëve ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Sipas raportimeve të deritanishme, Selvie Kazani ka marrë më shumë lëndime por të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas administratorit të pallatit, ashensori ishte i kolauduar por jo i regjistruar pranë organeve përkatëse. Menjëherë pas ngjarjes, ashensorit i janë vënë shiritat e verdhë nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyerjes së Tregut. Në njoftimin e bërë, ISHMT ka lajmëruar se ashensori nuk do të përdoret deri në rregullimin e tij.
NJOFTIMI I PARË I POLICISË:
Më datë 06.02.2023, në Unazë të Re, në rrugën “Aleksandri i Madh”, ka pësuar defekt ashensori i një pallati dhe ka rënë nga kati i pestë në katin zero. Në të ndodheshin shtetasi S. K., 56 vjeç, dhe shtetasja S. K., 55 vjeçe (çift bashkëshortësh). Në ndihmë të tyre kanë vajtur shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrfikëses dhe të ambulancës. Si pasojë, shtetasit e lartpërmendur janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
NJOFTIMI I DYTË I POLICISË:
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Aleksandri i Madh”, ku ashensori i një pallati ra nga kati i pestë në katin zero, ju informojmë se nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkaku i rënies së ashensorit ka qenë tejkalimi i kapacitetit, pasi në ashensor kishin hipur 5 persona, ndërkohë që kapaciteti i lejuar ishte 2-3 persona. 2 personat e dëmtuar, pasi kanë marrë mjekimin në spital, janë larguar në banesë, ndërsa 3 të tjerët nuk kanë pësuar dëmtime. Materialet për këtë rast u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.

