Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka mbledhur ditën e sotme Këshillin e Sigurimit Kombëtar Fokusi i kësaj mbledhje ishte “Analiza e gjendjes së sigurisë kombëtare dhe diskutimi i prioriteteve për vitin 2023”.
Kreu i shtetit u informua me detaje rreth gjendjes aktuale të Sigurisë Kombëtare në vendin tonë. Tre ishin pikat e parashtruara në mbledhjen e këtij Këshilli, mes tyre lufta në Ukrainë si dhe tensionet në veri të Kosovës.
Gjatë mbledhjes një vëmendje të shtuar e mori edhe sulmi kiberntik nga Irani. Në mbledhje morën pjesë drejtuesit e institucioneve kryesore në vend duke nisur nga kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ministrat Niko Peleshi, Olta Xhaçka, Bledi Çuçi, Delina Ibrahimaj dhe Frida Krifca.
Në mbledhje ishte i pranishëm kreu i komisionit të sigurisë, Nasip Naço, si edhe nënkryetari i këtij komisionit, Ferdinand Xhaferri, si pjesë e opozitës. Në mbledhje nuk kanë mungur as shefi i Forcave të Armatosur, Arben Kingji, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si edhe nëndrejtori i SHISH, Oljan Kanushi. I ftuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, ishte edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

