Dy ditë më parë u tha se u arrestua si porositës i dy atentateve një biznesmen i njohur në zonën e Fierit dhe të Vlorës. Emri i tij kishte dalë, gjithnjë sipas SPAK, nga dëshmia e Henrik Hoxhës, vrasësit me pagesë që vriste për llogari të grupeve të ndryshme kriminale në vend.
Prokuroria e akuzon Albert Pashajn se ka dashur të eliminojë fizikisht ortakun e tij, rival, gjë që ai e ka mohuar para gjykatës ditën e djeshme. I akuzuari nuk e ka mohuar njohjen me “killer”-in me pagesë, por ka refuzuar t’i ketë dhënë para e aq më pak të vrasë ndonjë person në emër të tij.
Ndërkohë sipas të dhënave jo zyrtare, bëhet me dije se Henrik Hoxha i ka thënë prokurorisë se meqë nuk arrita ta vrisja dot shënjestrën, ia ktheva paratë Pashajt.
MASA
Albert Pashaj, i arrestuar nga SPAK si porositës i dy atentateve për të vrarë Aredin Beharin, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Në seancën e verifikimit të kushteve te masës së sigurisë ai ka pretenduar se nuk ka lidhje me asnjërën nga dy ngjarjet e ndodhura në vitet 2017 dhe 2019.
Megjithëse ka pranuar se e njeh Henrik Hoxhajn pasi janë nga e njëjta zonë ai ka pretenduar se nuk i ka dhënë asnjë porosi. Pavarësisht pretendimeve të paraqitura nga i dyshuari gjykata ka vendosur burg për Albert Pashajn.
Sipas SPAK Aredin Behari, i cili i shpëtoi dy atentateve kishte një konflikt pronësie me porositësin për tregtimin e naftës. Ka qenë dëshmia e Henrik Hoxhajt ajo që ka fundosur të arrestuarin, pasi i penduari tregoi për hetuesit se mori 80 mijë euro bashkë me Skerdi Tasen për të kryer vrasjen.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se, biznesmeni Aredin Behari, herë pas herë është vënë nën presion nga vëllezërit Ardian dhe Albert Pashaj, pasi pretendonin se ai nuk kishte shlyer një borxh të vjetër. Për shkak të presioneve të vazhdueshme, Behari i dha rreth 40% të aksioneve të kompanisë së tregtimit të naftës Albert Pashajt. Por sërish ata pretendonin se ai kishte pa shlyer shuma të tjera monetare dhe për këtë i morën një banesë në qytetin e Fierit.
Këtë pasuri Behari e fitoi nëpërmjet proceseve gjyqësore, pasi gjykata e Apelit në Vlorë i njohu atij pronësinë. Sipas SPAK, gjatë kësaj kohe Albert Pashaj pa dijeninë e vëllait tjetër Ardianit, i ofroi Henrik Hoxhajtn dhe Skerdi Tasit 80 mijë euro për të ekzekutuar Aredin Beharin.
Për shkak se dy atentatet e ndodhura në vitin 2017 dhe 2019 kanë dështuar, herën e parë për shkak se objektivi u shpëtoi plumbave pasi u shtri dhe herën e dytë pasi autorit iu bllokua arma. Pas dy ngjarjeve Hoxhaj e Tase i kanë kthyer sërish shumat monetare Pashait.
HETIMET
Aktualisht, Ardian Pashaj vijon të jetë aksioner në kompaninë e hidrokarbureve të Aredin Beharit, ndërsa mësohet se vëllai i tij, Alberti, është arrestuar nga SPAK për akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer për interes mbetur në tentativë dy herë në dëm të Aredin Beharit.
Në pamundësi për të shlyer një pjesë të borxhit financiar nga ana e Aredin Beharit, Albert Pashaj dyshohet se i ka marrë një shtëpi në qytetin e Fierit. Behari ka kundërshtuar këtë gjë në gjykatën e Fierit, ndërsa palët janë përfshirë në debate dhe konflikte të ndërsjella mes njëri-tjetrin. Në shkallën e parë të gjykimit, betejën ligjore e kanë fituar vëllezërit Pashaj. Ndërsa në gjykatën e Apelit Vlorë, gjyqi është fituar nga Aredin Behari.
Në këtë periudhë njëri nga vëllezërit, Albert Pashaj pa dijeninë e vëllait tjetër Ardianit, ka kontraktuar Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasin për të vrarë Aredin Beharin, kundrejt shumës prej 80 mijë eurove. Një gjë e tillë është bërë në vitin 2017 dhe në vitin 2019, si shenjë hakmarrje për mosmarrjen e borxheve financiare nga Aredin Behari. Ky i fundit i ka shpëtuar të dy atentateve.
Ndërkohë plani për ekzekutimin e Beharit, është treguar në SPAK nga bashkëpuntori i Drejtësisë Henrik Hoxhaj, duke sjellë riarestimin e Skerdi Tasi dhe ndalimin në Fier të Albert Pashaj. Pritet që gjatë kësaj jave ky i fundit të dali para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.

