Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi mbrëmjen e sotme në “Noë me Erla Mëhillin” se është takuar sërish me Edi Palokën, por media nuk i ka ndjekur dot. Ai u shpreh se takimi i dytë mes tyre u zhvillua ditën e enjte.
“Në fakt nuk i kemi lënë ditët të ikin. Unë jam takuar përsëri me zotin Paloka, por kësaj here mediat nuk arritën dot të na ndiqnin në takimin tonë të dytë, sikundër kam qenë në vijimësi në komunikim me të. Jam takuar të enjten që shkoi,” – u shpreh deputeti i PD-së.
Ai tregoi se është diskutuar vazhdimisht se si opozita do të bëhet bashkë me një kandidat të vetëm për zgjedhjet. Secila palë, siç tregon Bardhi ka bërë një llogari të vetme, që ndarja e PD-së në dy grupime të ndryshme e dobëson opozitën dhe kjo është arsye e mjaftueshme për ta marrë seriozisht bashkëpunimin.
“Edi Rama do të përfaqësohet në secilën prej njësive vendore me një kandidat. Nëse opozita përbëhet jo vetëm nga disa pjesë brenda Partisë Demokratike, por dhe parti të tjera opozitare, secila prej tyre do nxirrte një kandidat, sigurisht do të ndante votën dhe do t’i jepte mundësi kandidatëve të Edi Ramës për të fituar lehtësisht,” – u shpreh deputeti.
Bardhi dhe Paloka u takuan më 18 tetor në një ambient përballë kryesisë së Kuvendit. Bardhi, i mandatuar nga grupi i Alibeajt dhe Paloka nga Berisha u takuan për të negociuar në mënyrë që të dilnin të bashkuar në zgjedhjet lokale. Qëllimi i takimit ishte gjetja e një konsensusi sesi PD-ja të bashkohej për të dalë me një kandidaturë të vetme në zgjedhjet vendore të 2023.

