Një mega-operacion është zhvilluar sot në Itali. Mediat vendase raportojnë se janë arrestuar 23 persona, mes të cilëve 1 shqiptar. Operacioni është zhvilluar fillimisht në rajonin e Foggia-s, mëngjesin e sotëm në bashkëpunim me ushtarët e Guarda di Finanza.
22 prej të arrestuarëve përfunduan në burg, ndërsa një u la në arrest shtëpie. Nga ana tjetër, një karabiniere që punonte në Melfi (Potenzë), pasi u ndalua, u pezullua nga detyra.
Personat e ndaluar akuzohen për grup të strukturuar kriminal për trafikimin dhe shitjen e substancave narkotike (kokainë, marihuanë dhe hashash); posedimi dhe mbajtja në vende publike e armëve të zjarrit, të zakonshme dhe të luftës, madje edhe klandestine; zhvatje, marrje e sendeve të vjedhura dhe tentativë për vrasje të rëndë. Gjithashtu ndaj të ndaluarve janë bërë sekuestrime të pasurisë për një vlerë mbi 5 milionë euro. Theksojmë se, njëri prej të arrestuarve është shqiptar dhe jeton në zonën e Foggia; dy janë nga San Pietro Vernotico (Brindisi).

