Menaxherja e zhvillimit të biznesit te Manchester Cityt, Fiona Barclay, u burgos në nëntor 2022 për mashtrim financiar. 34-vjeçarja britanike përdori pozicionin e saj për të nxjerrë shuma të mëdha parash nga llogaritë e Cityt për të paguar dasmën e saj, si dhe dhurata të shtrenjta për bashkëshortin dhe anëtarët e familjes së tij.
Megjithatë, Fiona Barclay, e cila aktualisht ndodhet në qytetin e saj të lindjes në Falkirk në Skoci, kohët e fundit tha përmes video-konferencës, se ajo ka vetëm 3.000 euro për të paguar në një seancë dëgjimore të Ligjit për të ardhurat nga krimi.
Gjykatësi Timothy Smith, e arsyetoi vendimin e tij mahnitës: “Në dritën e të gjitha provave të paraqitura, shuma që i akuzuari ka përfituar si rezultat i aktiviteteve kriminale është 130 mijë euro. Shuma në dispozicion është 3.000 euro. Kjo duhet të kthehet deri më 6 tetor”.
Barclay për herë të parë u vu në qendër të vëmendjes së drejtuesve të Manchester Cityt në mars 2022, pasi kontabilistët e grupit në “Etihad” zbuluan një rimbursim të dyshimtë prej 30.000 €.

Kur u pyet për transaksionin, Fiona u përpoq të pretendonte se “gabimisht” ka transferuar 20.000 € nga shuma totale prej 30.000 € në llogarinë e saj.
Pas një hetimi të brendshëm të nisur nga Manchester City, u zbulua se Barclay kishte vjedhur shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë e klubit anglez që nga qershori 2019, pa e vënë re askush.
Ajo u deklarua fajtore duke u akuzuar për mashtrim me shpërdorim detyre dhe u shkarkua nga puna si menaxhere te kampionët e Premier League në mars 2021.
Ajo ka kaluar më pak se gjysmën e dënimit prej 18 muajsh pas hekurave, ndërsa pjesa e mbetur e dënimit do të llogaritet si lirim me kusht.

