Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-inspektorin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), Ilir Kapetani, i arrestuar pak ditë më parë për korrupsion. Siç duket edhe nga fotoja, Kapetani doli këtë të mërkurë përpara trupës gjykuese të GJKKO, ku mohoi akuzat e ngritur ndaj tij. Ndërsa hetuesit e SPAK pretendojnë se ai ka marrë ryshfet në 14 raste duke u kërkuar para trashgimtarëve të pronave për trajtimin e kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
Personat që kanë dhënë ryshfetin pretendojnë se janë mashtruar nga Kapetani, duke i dhënë shuma parash, por pa iu zgjidhur çështjet. Përveç Kapetanit, 2 qytetarët që i dhanë ryshfet Kapetanit janë lënë në “arrest shtëpie” dhe 6 të tjerë me detyrim paraqitjeje, pasi akuzohen se kanë kryer veprën penale: korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Vetë Kapetani akuzohet për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

