Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme projektligjin për kanabisin mjekësor. Gjatë komisionit të sotëm, deputetët socialistë në komision kanë miratuar projektligjet nen për nen, ndërkohë që deputetët opozitarë kanë kundërshtuar këtë projektligj. Drafti ligjor do të shqyrtohet në seancën plenare të së enjtes.
Kolegët socialistë në Komision kanë rrëzuar propozimin e deputetit Erion Braçe, të cilin e bëri dje në Komisionin e Ekonomisë që të përcaktohet hapësira që do të shfrytëzohet për kanabisin industrial. Ndërkohë që Ministria e Bujqësisë ishte kundër këtij propozimi të Braçes.
“Mendoj që nuk duhet të përcaktohet te ligji. Projektligji parashikon që është këshilli i ministrave i autorizuar për kufizimin e zonave kadastrale ku do të lejohet kultivimi,” tha përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë.
Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, në nisje të mbledhjes së Komisionit bëri me dije se në komision kanë mbërritur tre kërkesa për seancë dëgjimore.
“Tre kërkesa për dëgjesë publike, një kërkesë nga koalicioni shqiptarë pro familjes dhe jetës. Fondacioni ‘Jeshilai’, që ka si objekt varësinë nga drogat. Dhe formimi mysliman. Gjithashtu dhe drejtuesi politikë i BE në Shqipëri, ka çuar një kërkesë për dëgjesë me komisionin e punës dhe çështjeve sociale. Ne kemi bërë dëgjesën, elaburimet kanë qenë në platformën e kuvendit të Shqipërisë. Unë jam e hapur që ne të bëjmë një dëgjesë tjetër bazuar në kërkesat e këtyre fondacioneve, por edhe përfaqësuesit të Be në Shqipëri. Ky është një vendim që do duhet të merret sot me votë”, tha Gjergji.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasli u shpreh se përpara se projektligji të shqyrtohet nen për nen, duhet të dëgjohen të gjitha grupet e interesit.
“Është ligj shumë i debatuar. Shterimi dhe dëgjimi i të gjithë aktorëve të interesit është me rëndësi. Ndjeshmëria është shumë e fortë për këtë projektligj. Është në detyrimin tonë të dëgjojmë të gjitha aktorët e interesit. Nuk është ligj i future me procedurë të përshpejtuar. Edhe votimi cili do të jetë, pro apo kundër do jetë më i motivuar. S’kemi asnjë detyrim as nga programi, as nga afatet ligjore. Ne po ecim në kohën më të shkurtër të mundshme. Ne kemi patur mbi 38 nisma që kanë kaluar mbi dy vite. S’është akt normativ, prandaj le ti konsumojmë të gjitha diskutimet. Nëse keni ndonjë detyrim tjetër, është gjë tjetër”, tha Vasili.
Deputetja e PS-së Klodiana Spahiu në fjalën e saj theksoi se propozuara e paraqitura nga delegacioni i BE janë reflektuar në aktin ligjor.
“Në fakt në fjalën tuaj, ju referuat se keni tre kërkesa për seanca dëgjimore. Në informacionin tonë, projektligji ka qenë prej dy javësh në platformë elektronike dhe grupet e interesit mund të jepnin opinionin e tyre. Kemi zbatuar rregulloren deri në fund. Kemi marrë opinionet e grupeve të interesit. Kemi dëgjuar dhe sugjerimet përkatëse. Ndoshta relatori mund të na thotë diçka më tepër mbi atë që ka kërkuar delegacioni i Bashkimit Europianë, pasi në në dijeninë tonë, në variantin e fundit janë pranuar të gjitha propozimet që ka bërë delegacioni i BE në lidhje me këtë projektligj,” tha Spahiu.
Deputetja socialiste Anila Denaj në mbledhje tha se të gjitha procedurat janë ndjekur dhe se projektligji ka qenë i hapur për konsultim publik gati një vit.
“Proceduralisht komisioni sot duhet të vazhdojë me axhendën e miratuar më herët. Së pari, unë di që grupi i punës ka nisur punën që prej vitit 2020. Sot jemi në fazën finale. Ligjet kalojnë një proçes konsultimi publik. Pr/ligji ka ndenjur gati 1 vit në konsultim publik”, tha Denaj.

