Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është përgjigjur i prerë duke thënë se çështja për Fredi Belerin duhet zgjidhur menjëherë. Ai u takua një ditë më parë me kryeministrin Edi Rama, aty ku vuri theksin dhe nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së Belerit, duke nënvizuar se në Shqipëri ka një çështje shteti ligjor.
Mitsotakis i kujtoi Ramës se çështja e shtetit ligjor në Shqipëri është një nga kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Me homologun tim shqiptar, zotin Rama, e ritheksova edhe një herë se kjo çështje është një çështje që duhet zgjidhur. Është çështje e shtetit të së Drejtës, dua ta theksoj këtë, kur një kryetar i zgjedhur burgoset pa akuza të vlefshme dhe mbahet në burg pa pasur mundësi të betohet.
Këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin në një vend që e ka vendosur shtetin e së Drejtës Europiane në krye të reformave që dëshiron të bëjë për t’iu afruar Bashkimit Europian. Mendoj se mesazhi im ishte i qartë: respektoj pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, nga ana tjetër mendoj se të gjithë e kuptojmë se kjo çështje duhet të zgjidhet shpejt.”-ishte ky mesazhi i Mitsotakis nga Lituania.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe akuzohet për blerje votash. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri u arrestua në kushtet e flagrancës. Pavarësisht se u arrestua para zgjedhjeve, Beleri qëndroi si kandidat nga burgu dhe me ardhjen e mijëra minoritarëve nga Greqia arriti të fitonte zgjedhjet me një diferencë minimale votash, ndaj kandidatit socialist Jorgo Goro.

