Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë tha se emrat që do të garojnë përballë Partisë Socialsite në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, janë një krenari për opozitën. I pyetur nga gazetarët, Meta tha se kandidatët nuk janë të ‘Berishës por të Primareve’, dhe shtoi se këto emra do të fitojnë. 

Ilir Meta: Kandidatët nuk janë të Berishës, por të Primareve, proces historik. Nuk ka hile dhe poshtërsi që i ndalon superkandidatët të regjistrohen dhe të jenë fitimtarë në 14 maj. Këtë proces e udhëheqin qytetarët që zgjodhën superkandidatët. Janë superkandidatët Belind Këllici, Igli Cara, Ledina Alijolli, Luçiano Boçi. Vetëm entuziasmohem nga superkandidatët. Janë emra të jashtëzakonshëm, emra të mrekullueshëm.

Kreu i PL u ndal edhe te mënyra sesi dy partitë do të garojnë në zgjedhjet e 14 majit, ku Meta tha se është gjetur ujdia edhe për këshilltarët bashkiakë. 

“Kemi një marrëveshje historike me PD dhe për këshillat dhe shndërrimit të tyre në tribuna ku do të vijnë vetë qytetarët të flasin për shqetësimet e tyre. Dhe të jeni të sigurt që ky bashkëpunim do të funksionojë në mënyrë të mrekullueshme”, tha Meta.

Deklaratat vijnë në një kohë kur Partia Demokratike është në udhëkryq për çështjen e vulës. Vendimi i gjykatës së Apelit ia la vulën, siglën dhe logon grupit Alibeaj, ndërsa Berisha duhet të zgjedhë mënyrën sesi do të garojë në 14 maj. Këshilli Kombëtar vendosi që garimi do të jetë me koalicion, ndërsa ende nuk janë përcaktuar detajet e tjera. Një pikë që mban në dyzim bashkëpunimin PD-PL lidhet me garimin e kandidatëve për Këshillat Bashkiakë pasi për çështjen e kandidatëve për kryetar, PL nuk ka pretendime dhe emra.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version