Sot u miratua në parim me votat e mazhorancës projektligji për legalizimin e kanabisit mjekësor, ndërsa opozita doli kundër, ku kërkuan informacion më të detajuar.
Opozita kërkoi që projektligji të mos votohej, pasi pretendojnë se nuk kanë informacionin e duhur. Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, iu drejtua relatorit të komisionit, Eduart Shalsit, që të mos votohej sot projektligji për kanabisin, pasi kërkojnë më shumë informacion nga qeveria për zhvillimin ekonomik që do ketë sektori në të ardhmen.
Edhe deputeti Edmond Spaho tha se nuk e kupton përse mazhoranca po nxiton ta kalojë me shpejtësi projektligjin për kanabisin. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar projektligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor që u prezantua sot nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në Komisionin e Ligjeve.
Ai tha me tone ironike se nuk duhej të ishte hartuar pa marrë mendimin e çunave të Londrës, të cilët duhet që të jepnin eksperiencën e tyre për kultivimin e kanabisit. Ministrja Ogerta Manastriliu deklaroi se është një kuadër ligjor, që ka të bëjë me kultivimin e kontrolluar të kanabisit nga shteti, për qëllime industriale edhe mjekësore.
Ndër të tjera shtoi se çfarë është në shkelje të këtij kuadri ligjor, mbetet e paligjshme.

