Edhe tetë muaj pas vrasjes së Martin Çeços, hetuesit e prokurorisë lokale nuk e kanë zbardhur plotësisht ngjarjen. Deri më tani, hetimet janë bazuar mbi deklaratat e Tina Pajollarit, të cilat kanë qenë shpesh kontradiktore.
Për këtë arsye, hetuesit nuk kanë prova të forta për përfshirjen e kushërinjve Mollaj në krim. Një tjetër provë që mund të jepte të dhëna të rëndësishme mbi kontaktet e fundit të viktimës, është telefoni celular, por deri më tani hetuesit e kanë gjetur atë.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Korçës ka marrë në pyetje pak ditë më parë edhe dy persona të tjerë, përfshirë ish-kunatin e Tina Pajollarit. Këta dy persona janë shoqëruar edhe më herët nga policia, por kanë mohuar faktin që të kenë dijeni për ngjarjen.
Por, kjo nuk i ka bindur hetuesit duke kërkuar shpjegime shtesë për ta. Ndërkohë, pala mbrojtëse e kushërinjve Mollaj, ka kërkuar që Prokuroria të hetojë edhe në një pistë tjetër, atë të parcelave me kanabis, fakt i përmendur vetëm në media.
Avokatët pretendojnë se viktima kishte pikasur pak ditë para vrasjes një parcelë me bimë narkotike në zonë. Martin Çeço u vra më 12 qershor të vitit të shkuar në fshatin Kolanec. Pas krimit, autorët e hodhën në ujë të lidhur nga duart.
Për ngjarjen janë arrestuar katër persona, përkatësisht Valter Edlir Mollaj, punëtori i tyre Bleti Angjo, si dhe Tina Pajollari. Nga këqyrja e automjetit të Valter Mollajt, nuk janë gjetur gjurmë ADN-je të viktimës. Krimi dyshohet se ka ndodhur për shkaqe pasioni.

