Partia konservatore greke “Demokracia e Re” fitoi bindshëm një mandat tjetër katër-vjeçar në zgjedhjet e mbajtura të dielën në Greqi.
Pas numërimit të 90 për qind të kutive të votimit, “Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka fituar më shumë se 40 për qind të votave, ndërsa partia kryesore opozitare e majtë, Syriza, ka pësuar rënie të mbështetjes, duke marrë 18 për qind të votave.
Mitsotakis tha para mediave se populli i dha atij një mandat për të çuar përpara reformat e nevojshme. Partia e tij ka siguruar një shumicë prej 157 deputetësh në parlamentin me 300 vende.
Alexis Tsipras deklaroi se Syriza merr përsipër përgjegjësitë që i ka ngarkuar vota popullore, ndërsa theksoi se do të vendosë veten në gjykimin e anëtarëve të partisë. Pas rezultateve paraprake në Greqi, qytetarët kanë dalë nëpër rrugë duke festuar për fitoren e Mitsotakis, ndërsa ndoqën edhe fjalimin që mbajti kryeministri.

