Tre muaj pas ngjarjes së rëndë në Itali, i riu shqiptar Alvardo Agaraj, i akuzuar për vrasjen e 45-vjeçarit maroken Abderrahimi Elkharmoudi, ka rrëfyer se ç’ndodhi mbrëmjen mes 23 dhe 24 tetorit.
22-vjeçari shqiptar vrau shtetasin maroken jashtë lokalit Agorà në Piazza Libertà në Cornaredo.
I marrë në pyetje nga prokurori i çështjes, i riu ka deklaruar se kishte frikë se mos 45-vjeçari do i vriste të dashurën e tij, me të cilën debatoi brenda lokalit, dhe se ai vetë ishte shënjestër e një sulmi nga viktima, i cili sipas tij kishte tentuar ta godiste me thikë.
Para se të kthehej në lokal për herë të dytë, Alvardo Agaraj, i cili ndodhet në burgun San Vittore në Milano, mori pistoletën në shtëpi nga frika se shtetasi maroken do t’i sulmonte të dashurën e tij.
“Sapo më pa duke u afruar, doli nga lokali dhe tentoi të më godasë me thikë. E qëllova dy herë me pistoletë, në gjok dhe bark”, tregoi ai, më pas i tha: “Kështu do të mësosh si të respektosh gratë.”
22-vjeçari ka deklaruar se “mendoja që nuk e kisha vrarë. Jam larguar më pas po natën e vrasjes me makinë në Belgjikë së bashku me të dashurën”.
Dy ditë më vonë ai është kthyer në polici dhe është vetëdorëzuar. Agaraj rezulton i arrestuar më parë edhe për një rast të dyshuar të përdhunimit në grup.
Viktima, i cili jetonte në San Pietro all’Olmo, ishte i njohur për policinë dhe frekuentonte shpesh lokalin ku ndodhi krimi.
Mbrëmjen e ngarjes, pasi u plagos nga i riu shqiptar, ai arriti të ngrihej dhe të zvarritej drejt makinës së tij që ndodhej e parkuar aty pranë.
Ai eci disa qindra metra dhe humbi ndjenjat. Kanë qenë banorët që kanë telefonuar policinë pasi dëgjuan të shtënat me armë.
Pasi mbërritën në vendngjarje karabinierët nuk vunë re asnjë të plagosur në Piazza Liberta, por jo shumë larg nga aty vunë re një makinë të ndaluar në mes të rrugës.
Marokeni ndodhej pa ndjenja me kokën mbështetur në timon. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ai ndërroi jetë në spitalin e San Carlo.

