Gjendje e jashtëzakonshme në Pejë nga përmbytjet.
Moti i keq me stuhi dhe shi të rrëmbyeshëm shkaktuan një situatë të vështirë mbrëmjen e kaluar në qytetin e Pejës. Një grua dhe fëmija i saj 5 vjeç kanë humbur jetën në lagjen “Asllan Çeshme”. Mirsada Ademaj dhe Dion Ademaj do të përcillen për në banesën e fundit nesër në orën 15:00.
Lajmi është njoftuar nga familja Ademaj. Njëri prej tyre ka treguar se nga vërshimet një pjesë e kodrës ka rrëshqitur dhe e ka bllokuar djalin 5 vjeç, ndërsa tregoi se nusen e tyre e kanë gjetur në një bodrum në një shtëpi.

Xhaxhai i të miturit, tha se nuk morën asnjë ndihmë nga institucionet për të gjetur trupat e pajetë të familjarëve të tij. Ngjarja e rëndë ka tronditur gjithë opinionin publik.
Kryeministri, Kurti njofton se autoritetet po marrin masa dhe janë në kontakt për të monitoruar situatën e përmbytjeve dhe për të shmangur raste të tjera tragjike. 2 persona janë në spital në trajtim intensiv pasi janë lënduar. Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj e cilësoi gjendjen të rëndë.

