Përkeqësimi i motit, ka shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Shtimi i reshjeve ka sjellë edhe daljen e lumit Ishëm nga shtrati gjatë natës, duke shkaktuar përmbytje në disa zona në Fushë-Krujë.
Uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore kryesisht në fshatin Murqinë dhe Mallkuç. Aktualisht janë disa banesa të rrethuara nga uji rreth në fshatin Murqinë dhe Mallkuç. Rrëshqitjet e dherave kanë bërë që qarkullimi në rrugën e Arbrit në afërsi të tunelit të Murrizit të bllokohet. Shkak është bërë shembja e një masivi të madh dheu pak metra larg hyrjes së tunelit të Murrizit.
Kritike paraqitet situata e motit të keq edhe në qarkun e Gjirokastrës, ku diga e përroit të fshatit Hundëkuq është çarë si pasojë e vërshimit të ujërave të shiut, duke rrezikuar përmbytjen e rrugës që të çon në këtë fshat.
Problematike shfaqen rrugët përmes të cilave bëhet kalimi, konkretisht në fshatrat e Kurveleshit. Si rrjedhojë ngelen të izoluara nga qarkullimi i mjeteve fshatrat Rexhin, Nivice, Progonat, Lekdush dhe Bënçe.
Stuhia dhe reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të mbrëmjes kanë bërë që të pezullohet sërish lundrimi detar në Vlorë.
Rreth 15 fshatratë njësisë administrative Lozhan dhe Maliq, Dardhas në Pogradec dhe Libonik në bashkinë e Maliqit në Korçë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e motit të keq.
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në qarkun Kukës. Në disa rrugë ka rënie inertesh dhe gurësh të cilat kanë sjellë bllokimin e fshatrave: Nimçë, Carnalevë, Pakisht, Zapot, Xhaferraj, Tërshenë, Çajë, Shkinak etj.

